Xhokoviç ngre alarmin: Tenisi pa të ardhme, duhet… revolucion
“Tenisi ka shumë probleme që nuk po i trajtojmë”. Me këtë deklaratë, Novak Xhokoviç dha alarmin pas fitores në ndeshjen e tij të parë në Uimbëlldon 2026. Kampioni serb shprehu shqetësimin e tij të madh për të ardhmen e tenisit, një sport që, sipas tij, mbetet i lidhur me traditat e së kaluarës dhe me ndeshje tepër të gjata për ritmin e kohës së sotme.

“Nevojitet një reformë e vërtetë, ku të gjitha palët e përfshira të ulen në të njëjtën tryezë. Por, për momentin, kjo nuk po ndodh. Me PTPA-në (shoqata e lojtarëve profesionistë të tenisit) zhvilluam një studim që tregoi se mosha mesatare e tifozëve të tenisit është 61 vjeç. Të rinjtë mund të ndjekin turnetë Grand Slam, por është e vështirë që ata të qëndrojnë për katër apo pesë orë para televizorit për një ndeshje. Sot vëmendja zgjat shumë më pak dhe ne duhet të gjejmë mënyra për t’u përshtatur”, deklaroi tenisti serb.
Xhokoviç sugjeron që turnetë Grand Slam të mbeten një kategori më vete, ndërsa turnetë e tjerë të shërbejnë si terren për ndryshime. “Grand Slam-et janë një realitet ndryshe, por në turnetë e qarkut mund të eksperimentojmë. Ndeshje më të shkurtra dhe më dinamike mund të jenë një zgjidhje. Duhet ta provojmë”, shtoi Nole.
Më pas, ai kritikoi edhe ndryshimin më të rëndësishëm të viteve të fundit, zgjatjen e turneve “Masters 1000” në më shumë se një javë. Sipas tij, kjo ka reduktuar kohën e rikuperimit mes turneve dhe ka rritur ndjeshëm ngarkesën fizike për tenistët.
“Po kërkohet vazhdimisht të rritet vlera ekonomike e produktit duke zgjatur kohëzgjatjen e turneve, duke shtuar ditët e garave dhe duke futur evente të reja në një kalendar që tashmë është jashtëzakonisht i ngjeshur. Unë sot luaj shumë më pak se dikur. Kam privilegjin të zgjedh se ku të garoj dhe për këtë arsye nuk jam i ekspozuar ndaj këtij kalendari kaq të ngarkuar si shumica e lojtarëve të tjerë. Ka pasur shumë debat, veçanërisht për ‘Masters 1000’, pas ndryshimit të formatit. A janë vërtet të kënaqur lojtarët me zgjatjen e turneve? Personalisht, kam qenë gjithmonë kundër. Nga pikëpamja komerciale, sigurisht që kjo rrit vlerën e eventit, por nuk jam i bindur se është në interes të lojtarëve. Sporti ynë ka nevojë për një rivendosje të thellë, për një fillim të ri. Në këtë mënyrë nuk po funksionon”, përfundoi Xhokoviç.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













