EKSKLUZIVE/ Largime të tjera nga Partizani, në listë edhe mesfushori i formacionit të vitit (EMRAT)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2026 | 9:26

EKSKLUZIVE/ Largime të tjera nga Partizani, në listë edhe mesfushori i formacionit të vitit (EMRAT)

Partizani vijon punën për ndërtimin e skuadrës që do të përfaqësojë klubin në sezonin e ardhshëm, ndërsa drejtuesit po lëvizin me kujdes për të krijuar një organikë sa më funksionale për trajnerin e ri.Adnard Mehmeti, mes më të mirëve të vitit 2025 në Abissnet Superiore - FK PARTIZANI | FAQE ZYRTARENdryshe nga merkatot e tjera, këtë verë nuk pritet një revolucion i madh, pasi baza e ekipit do të ruhet, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë lëvizje të rëndësishme në hyrje dhe në dalje. Klubi ka nisur të bëjë vlerësimet për futbollistët që nuk bëjnë më pjesë në projektin e ri dhe, sipas të gjitha gjasave, disa emra do të largohen për t’u dhënë hapësirë afrimeve të reja. Objektivi është që organika të jetë më e balancuar dhe çdo futbollist që do të mbetet në skuadër të ketë një rol të qartë gjatë sezonit.

LISTA- Në listën e lojtarëve që nuk janë më pjesë e planeve të Partizanit bëjnë pjesë Adnard Mehmeti, Besar Guxhufi, Kristi Kote, Arkanzh Bintsuka dhe Diego Kontreras. Të gjithë këta futbollistë pritet të kërkojnë një aventurë të re në karrierë, aty ku mund të kenë më shumë hapësira dhe një rol më të rëndësishëm në fushë. Për disa prej tyre, konkurrenca e madhe në organikën e Partizanit bëri që minutat të ishin të kufizuara, ndërsa për të tjerë zgjedhjet teknike ndikuan që të mos fitonin besimin e stafit. Pikërisht për këtë arsye, ndarja shihet si zgjidhja më e mirë për të dyja palët.

SULMUESI KOLUMBIAN – Një nga rastet që tërheq më shumë vëmendje është ai i Diego Kontrerasit. Sulmuesi kolumbian konsiderohet një nga lojtarët që mund t’i sjellë përfitime ekonomike klubit, pasi interesi për të nuk mungon dhe drejtuesit synojnë ta shfrytëzojnë këtë situatë edhe në aspektin financiar. Kontreras u afrua fillimisht nga ekipi B dhe ishte ish-trajneri Oltijon Kërnaja ai që i hapi rrugën drejt skuadrës së parë. Besimi i dhënë nga tekniku bëri që sulmuesi të tregonte cilësitë e tij, duke fituar hapësira dhe duke u shndërruar në një alternativë interesante në repartin ofensiv. Paraqitjet e tij kanë rritur edhe vlerën në treg, ndaj Partizani shpreson që largimi i sulmuesit të mos jetë vetëm një lëvizje sportive, por edhe një operacion i rëndësishëm financiar. Në një sezon ku mungojnë të ardhurat nga kupat e Europës, çdo shitje e realizuar me sukses merr një rëndësi të veçantë për buxhetin e klubit. Edhe largimet e lojtarëve të tjerë do t’i krijonin Partizanit më shumë hapësira në organikë dhe njëkohësisht do t’i jepnin mundësinë drejtuesve të ndërhyjnë në merkato sipas kërkesave të trajnerit të ri.

LËVIZJET, PARA OHRIT- Për momentin, klubi nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime të shumta, pasi synimi është të ruhet boshti i skuadrës që konsiderohet baza mbi të cilën do të ndërtohet projekti i sezonit të ardhshëm. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit po përqendrohen te largimet e futbollistëve që nuk parashikohet të kenë shumë minuta. Në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime edhe për të ardhmen e secilit prej këtyre lojtarëve, ndërsa interesi nga klube të tjera mund të përshpejtojë mbylljen e marrëveshjeve. Partizani dëshiron që situatat të zgjidhen përpara nisjes së fazës përgatitore, në mënyrë që trajneri i ri të punojë vetëm me futbollistët që do të bëjnë pjesë në projektin e tij.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL