Interi në merkato, zbulohen objektivat kryesorë të zikaltëve
Interi po hyn në fazën më të nxehtë të merkatos verore. Pas dështimit të operacionit për Marko Palestra, drejtuesit Xhuzepe Marotta, Piero Ausilio dhe Dario Baçin po punojnë për të përforcuar skuadrën, veçanërisht në krahun e djathtë dhe në qendër të mbrojtjes.

Për momentin, afrimi i vetëm është ai i portierit Ivan Provedel, i cili pritet të zyrtarizohet sapo të vijë miratimi përfundimtar nga Lacio. Ndërkohë, largimi i pritshëm i Denzel Dumfris drejt Real Madridit e ka bërë të domosdoshëm gjetjen e një zëvendësuesi.
KHALAILI, OBJEKTIVI KRYESOR PËR KRAHUN E DJATHTË
Emri më i nxehtë për krahun e djathtë është Anan Khalaili, talenti izraelit i Union Saint-Gilloise. Futbollisti ndiqet prej kohësh edhe nga Napoli, i cili ka ofruar 15 milionë euro dhe ka marrë pëlqimin e lojtarit. Megjithatë, Interi është futur fuqishëm në garë.
Klubi belg e vlerëson kartonin e Khalailit me rreth 25 milionë euro, pasi duhet t’i japë 15% të shumës së transferimit Makabi Haifa. Kmapiuonët e Italisë e shohin 20- vjeçarin si profilin ideal për të zëvendësuar Dumfris, falë shpejtësisë dhe aftësive sulmuese.
ÇALOBAH NË KRYE TË LISTËS PËR MBROJTJEN
Edhe mbrojtja mbetet prioritet, sidomos pas largimeve të Françesko Açerbit dhe Stefan de Vrajt. Objektivi kryesor është Trevoh Çalobah i Çelsit, një emër që Interi e ndjek prej disa merkatosh.
Megjithatë, konkurrenca është e fortë, pasi edhe Komo është në garë dhe ka paraqitur një ofertë prej 27 milionë eurosh (25 milionë plus 2 milionë bonuse), ndërsa Çelsi kërkon 40 milionë euro. Alternativë mbetet edhe Xhoel Ordonez i Klub Bryzh, ndërsa pista për Oumar Solet duket se është ftohur ndjeshëm dhe nuk konsiderohet më prioritet nga drejtuesit zikaltër.
PANORAMASPORT.AL













