Marku rikthehet “si lider” te Vllaznia, ekipi fiton një armë të re në mesfushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2026 | 22:39

Marku rikthehet “si lider” te Vllaznia, ekipi fiton një armë të re në mesfushë

Merkatoja e verës duket se ka sjellë sinjale inkurajuese për Vllazninë, me disa nga afrimet e reja që kanë nisur të japin menjëherë indicie pozitive gjatë fazës përgatitore në Slloveni. Edhe pse vlerësimet përfundimtare do të vijnë vetëm me nisjen e ndeshjeve zyrtare, performancat në miqësore kanë krijuar optimizëm në kampin kuqeblu.

mARKU

Një nga futbollistët që ka spikatur më shumë është Herald Marku. Rikthimi i mesfushorit ka rezultuar premtues, teksa ai ka shfaqur cilësitë e tij në organizimin e lojës, por edhe para portës kundërshtare. Golat e realizuar në ndeshjet miqësore kanë konfirmuar se Marku mund të jetë një nga pikat më të forta të skuadrës në sezonin e ri, duke i dhënë më shumë fantazi dhe eksperiencë repartit të mesfushës. Pozitive kanë qenë edhe paraqitjet e Rrok Tomës, i cili gjithashtu ka gjetur rrugën e rrjetës gjatë fazës përgatitore.

Sulmuesi po tregon se mund të jetë një alternativë e rëndësishme në repartin ofensiv, ndërsa sipas informacioneve të ardhura nga grumbullimi, përshtypje të mira ka lënë edhe Avduli. Mbrojtësi është vlerësuar për seriozitetin dhe nivelin e paraqitjeve në stërvitje dhe në minutat që ka marrë në miqësore. Megjithatë, jo të gjithë afrimet kanë pasur mundësinë të shfaqin ende plotësisht potencialin e tyre. Bardhi, Dumfur dhe Latifi janë futbollistë nga të cilët priten ende më shumë sinjale në vazhdim të përgatitjeve.

Për arsye të ndryshme, qoftë përshtatja me grupin apo minutazhi i kufizuar, ata nuk kanë arritur ende të tregojnë maksimumin, por stafi teknik beson se me kalimin e javëve do të arrijnë nivelin e kërkuar. Në prag të sfidave zyrtare, Vllaznia mund të shohë me optimizëm merkaton e kësaj vere.

Shumë prej afrimeve kanë nisur të justifikojnë besimin e klubit, ndërsa të tjerët pritet të japin kontributin e tyre në momentin kur skuadra të hyjë në ritmin e sezonit. Nëse të gjithë do të arrijnë potencialin e pritshëm, kuqeblutë mund të kenë ndërtuar një skuadër më të plotë dhe më konkurruese se një vit më parë.

PANORAMASPORT.AL