Partizani do ketë një fytyrë të re me rumunin, priten lojtarë me karakter dhe fantazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2026 | 20:54

Partizani do ketë një fytyrë të re me rumunin, priten lojtarë me karakter dhe fantazi

Partizani po hyn në një merkato që pritet të jetë vendimtare për objektivat e sezonit të ri. Pas një kampionati të mbyllur në vendin e pestë dhe jashtë kupave të Europës, drejtuesit e klubit e dinë se nuk mjafton të afrohen lojtarë të rinj, por duhet të zgjidhen profilet e duhura. Pikërisht kjo do të jetë edhe sfida më e madhe e merkatos, pasi skuadra nuk ka nevojë për një revolucion të plotë, por për ndërhyrje të menduara në repartet ku u vunë re mangësi gjatë sezonit të kaluar.

partizani2

ORGANIKA AKTUALE – Në pamje të parë, organika e Partizanit duket e balancuar. Në portë, Pano Qirko mbetet një garanci, ndërsa në mbrojtje janë ende futbollistë me eksperiencë dhe cilësi. Edhe mesfusha konsiderohet një nga repartet më të kompletuara të skuadrës, ku emra si Rouan Human, Arafat Dumbia, Kamer Qaka, Redon Ismaili dhe Valentino Murataj ofrojnë alternativa të shumta. Megjithatë, analiza e sezonit të kaluar tregon se problemi nuk lidhej vetëm me emrat, por me tipologjinë e futbollistëve që kishte në dispozicion skuadra.

DUHET PLOTËSUAR KRAHU I MAJTË- Reparti ku nevoja është më e dukshme mbetet krahu i sulmit. Largimi i Vusal Isgandarlit ka lënë një boshllëk që nuk lidhet vetëm me statistikat e tij. Gjashtë golat e realizuar kanë peshën e tyre, por edhe më e rëndësishme ishte aftësia e azerbajxhanasit për të krijuar epërsi numerike, për të fituar duelet një kundër një dhe për të detyruar mbrojtjet kundërshtare të ndryshonin mënyrën e mbrojtjes. Kjo është arsyeja pse Partizani nuk ka nevojë thjesht për një sulmues anësor, por për një futbollist që kombinon shpejtësinë me teknikën, që di të sulmojë hapësirat, të asistojë shokët e skuadrës dhe të jetë një kërcënim i vazhdueshëm edhe përpara portës. Një profil i tillë do t’i jepte skuadrës më shumë zgjidhje në fazën sulmuese dhe do ta bënte lojën shumë më të paparashikueshme. Laorent Shabani mbetet një alternativë interesante, por gjysmësezoni i kaluar tregoi se ai kishte vështirësi në përshtatjen me ritmin dhe kërkesat e skuadrës. Kjo nuk do të thotë se cilësitë e tij mungojnë, përkundrazi, drejtuesit dhe stafi teknik presin shumë më tepër prej tij në sezonin e ri. Megjithatë, një klub me objektiva si Partizani nuk mund ta mbështesë një pozicion kaq të rëndësishëm vetëm te një futbollist.

MBROJTJA DHE MESFUSHA- Edhe qendra e mbrojtjes mbetet një repart ku pritet ndërhyrje. Pas largimit të Altin Bytyçit, skuadra ka humbur jo vetëm një titullar, por edhe një lojtar me eksperiencë dhe personalitet. Për këtë arsye, profili që kërkohet nuk është thjesht një mbrojtës fizikisht i fortë, por një futbollist që di të organizojë repartin, të fitojë duelet ajrore, të lexojë situatat dhe të marrë përgjegjësi në momentet vendimtare. Në mesfushë alternativat nuk mungojnë, por edhe aty mund të ketë vend për një profil ndryshe. Partizani ka futbollistë që vrapojnë shumë, fitojnë topa dhe japin ekuilibër, por në disa ndeshje u vu re mungesa e një lojtari që me një pasim vertikal ose me një lëvizje mes linjave të ndryshojë ritmin e aksionit dhe të krijojë superioritet në fazën sulmuese, me pak fjalë të “nxjerrë” ekipin nga situata kur Human nuk është present. Një tjetër element që duhet marrë parasysh është karakteri i futbollistëve që do të afrohen. Sezoni i kaluar tregoi se në momentet e vështira skuadra pati mungesë reagimi dhe nuk arriti të ndryshonte ritmin e ndeshjeve. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit duhet të synojnë futbollistë që kanë personalitet, që nuk fshihen kur rritet presioni dhe që marrin përgjegjësi në fushë.

PËRGATITJA FIZIKE- Po aq e rëndësishme është edhe ana fizike. Kampionati shqiptar kërkon intensitet të lartë, shumë duele dhe vazhdimësi gjatë gjithë sezonit. Partizani u penalizua nga dëmtimet e shumta dhe kjo duhet të merret në konsideratë gjatë përzgjedhjes së afrimeve. Lojtarët që do të vijnë duhet të jenë të gatshëm të përballojnë ngarkesën dhe të japin garanci për një sezon të plotë. Edhe fleksibiliteti taktik është një cilësi që nuk duhet nënvlerësuar. Futbolli modern kërkon futbollistë që mund të interpretojnë më shumë se një rol, duke i dhënë trajnerit mundësi të ndryshme gjatë ndeshjeve. Një lojtar i tillë rrit automatikisht alternativat e skuadrës dhe e bën grupin më konkurrues.

EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL