Dinamo e transformuar, Europa varet nga stoli dhe duhet t’u besojë zgjedhjeve të dyta
Dinamo do të zbresë më 9 korrik në fushë për sfidën europiane ndaj Astanës, por përpara këtij dueli, skuadra e Ilir Dajës ndodhet përballë një tjetër beteje, atë të rindërtimit. Në një moment kur një ekip që vjen pas një sezoni të mirë duhet të ketë më shumë vazhdimësi, më shumë stabilitet dhe një bazë të konsoliduar, Dinamo po përballet me një situatë krejt tjetër.

Blutë kanë humbur disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të grupit që mbylli sezonin e kaluar me objektiva të mëdha. Dejvi Bregu, Tiago Nani, Saliu Guindo, Bernard Berisha dhe Andre Teikseira nuk janë më pjesë e skuadrës. Dhe shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me emrat që janë larguar, por me peshën që ata kishin në fushë. Ky grup lojtarësh ka lënë pas 25 gola dhe 29 asiste, pra 54 kontribute direkte në fazën sulmuese. Shifra që tregojnë se Dinamo nuk ka humbur thjesht disa alternativa, por një pjesë të rëndësishme të prodhimit të saj.
Humbja më e madhe është ajo e Dejvi Bregut. Sulmuesi ishte një nga figurat kryesore të skuadrës, me 2838 minuta në kampionat, 10 gola dhe 4 asiste. Ai ishte një prej lojtarëve që jo vetëm krijonte rrezik, por shpesh vendoste edhe fatin e ndeshjeve. Tiago Nani, me 2574 minuta, ishte gjithashtu pjesë e rëndësishme e strukturës. Saliu Guindo la pas 1927 minuta dhe gola të rëndësishëm, ndërsa Andre Teikseira ishte një nga lojtarët më të përdorur të skuadrës me 2400 minuta. Pra, Dinamo humbi minuta, eksperiencë dhe automatizma. Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e madhe, a ka kohë skuadra për të krijuar një identitet të ri para Europës? “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim të skuadrës së Dinamos në prag të ndeshjeve Europiane dhe për këtë, është bërë një paralelizëm. Në shqyrtim kemi marrë formacionin me të cilin Dinamo arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë, që praktikisht fitoi ndaj kampionëve në fuqi, dhe kampionëve të rinj njëkohësisht pasi aty mundi Dinamon. Dhe, në një finale natyrisht do të ishte përdorur formacioni më i mirë i mundshëm. Nga ana tjetër, kemi bërë një analizë të formacionit që Dinamo ka përdorur në dy miqësoret e luajtura në fazën përgatitore, ku si rregull, Dinamo duhej të testonte skuadrën që do të luajë në Ligën e Konferencës.
FORMACIONI FITUES – Dinamo e sezonit të kaluar ishte një skuadër që kishte ndërtuar një bazë. Formacioni që fitoi Kupën nuk ishte thjesht një grup emrash, por një skuadër me role të përcaktuara. Shumica e lojtarëve kishin shumë minuta në këmbë dhe një njohje të madhe mes tyre. Teqja ishte një pikë fikse në portë, Dita një lider në mesfushë, ndërsa lojtarë si Aliji, Neziri, Qardaku, Qefalia, Bregu, Guindo dhe Nani përbënin një grup që kishte kaluar një sezon të plotë së bashku, dhe pikërisht, kjo është ajo që ndryshon më shumë sot. Dinamo nuk po nis një sezon nga zero, por po ndryshon pjesë të rëndësishme të një skuadre që sapo kishte arritur rezultate.
FORMACIONI I MIQËSOREVE- Në miqësoret e fundit, panorama e skuadrës që luan në Europë dhe që duhet të synojë kualifikimin ka qenë ndryshe. Ilir Daja ka testuar një skuadër ku disa lojtarë që sezonin e kaluar nuk kishin një rol kryesor, tani duhet të marrin përgjegjësi më të mëdha. Në formacionet e fundit janë parë emra si Teqja, Dita, Aliji, Lorran, Qardaku, Vila, Manellari dhe Ajzeraj. Dy afrimet e deritanishme janë Manellari dhe Ajzeraj, por në një situatë ku boshllëqet janë më shumë se dy. Dhe këtu qëndron një nga paradokset e kësaj vere. Dinamo duhet të ishte një skuadër më e fortë se sezonin e kaluar. Një ekip që kishte krijuar bazë, që kishte kaluar prova të rëndësishme dhe që duhej vetëm të shtonte cilësi. Por në realitet, blutë po hyjnë në Europë me një organikë të ndryshuar dhe me nevojën për të zëvendësuar disa prej figurave kryesore.
Përballja me Astanën vjen më 9 korrik dhe nuk lë shumë hapësirë për të provuar, korrigjuar dhe ndërtuar lidhje të reja, duke pasur Dinamo në këtë moment edhe kohën kundër dhe është thuajse e pamundur në më pak se 10 ditë, të bëjë ndryshime të mëdha dhe të ndryshojë kualitetin, duke qenë se edhe ambientimi në kaq pak kohë, është shumë i vështirë. Në këtë situatë, lojtarë që sezonin e kaluar nuk bindën plotësisht ose nuk patën shumë minuta mund të marrin një shans të madh pikërisht në Europë. Por për Dinamon, ky është një rrezik, sepse ndeshjet europiane kërkojnë lojtarë të gatshëm dhe një skuadër që e di saktësisht çfarë kërkon në fushë.
Natyrisht, merkatoja nuk gjykohet pas disa ditësh dhe lojtarët e rinj mund të rezultojnë zgjedhje të sakta. Edhe ata që presin shansin mund të surprizojnë, por situata aktuale tregon një realitet të qartë. Dinamo ka humbur një pjesë të rëndësishme të golave, asisteve dhe minutave të sezonit të kaluar. Ka humbur lojtarë me peshë dhe tani duhet të ndërtojë një skuadër të re në kohën kur Europa është tashmë përpara derës. Sfida ndaj Astanës nuk do të jetë vetëm një test për cilësinë e Dinamos. Do të jetë edhe testi i parë për të kuptuar nëse ky rindërtim i shpejtë ishte një zgjedhje e menduar, apo nëse skuadra po kërkon ende veten në momentin kur duhet të ishte më e gatshme se kurrë.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













