Nagelsman drejt shkarkimit? Federata Gjermane del me komunikatë zyrtare: Pas këtij dështimi gjërat nuk mund të vazhdojnë si normalisht
Katastrofa ndaj Paraguait do të ketë pasoja te Gjermania dhe ai që rrezikon më shumë është trajneri Julian Nagelsman, i kritikuar se nuk arriti të çonte ekipin në nivelet e duhura dhe bëri zgjedhjet e gabuara në momente kyç të rrugëtimit në Botërorin 2026.

Zakonisht, pas ndeshjeve organizohej një konferencë për mediat e drejtuesve të Federatës, por këta të fundit kanë preferuar ta shmangin një të tillë në SHBA dhe pritet ta bëjnë këtë pas disa ditësh në Gjermani.
Por ndërkohë, presidenti i Federatës. Bernd Nojendorf, doli me një komunikatë zyrtare për mediat. Dhe sipas asaj që mund të interpretohet nga fjalët e tij, largimi i Nagelsman është një pikë diskutimi.
“Pas humbjes së hidhur kundër Paraguait dhe eliminimit nga Kupa e Botës në SHBA, Kanada dhe Meksikë, dje u ula për një kohë të gjatë me trajnerin e kombëtares Julian Nagelsman dhe ekipin e menaxhimit të ekipit, Andreas Retig dhe Rudi Fëler. Ne biem dakord që performanca në Kupën e Botës nuk i përmbush pritshmëritë tona.
Në ditët në vijim, do të diskutojmë me qetësi dhe thellësi arsyet pse ekipi nuk ishte në gjendje të realizonte potencialin e tij të plotë dhe nuk arriti të përmbushte pritshmëritë e veta dhe ato të futbollit gjerman. Pas një dështimi të tillë dhe duke marrë parasysh sfidat që na presin, ne nuk mund dhe nuk do të kthehemi thjesht në punë si normalisht”, ishin fjalët e tij, duke paralajmëruar ndryshime.
Sipas mediave gjermane, dështimet radhazi të Nagelsman në turnetë madhorë nuk lënë vend për interpretim dhe Federata duhet të heqë dorë nga mbrojtja pa kushte e trajnerëve që nuk arrijnë objektivat, siç ka ndodhur më parë.
PANORAMASPORT.AL













