Verdheblutë debutojnë në Europë, Resmeliu: Elbasani pretendent, BATE Borisov nuk tremb

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2026 | 18:44

Verdheblutë debutojnë në Europë, Resmeliu: Elbasani pretendent, BATE Borisov nuk tremb

Elbasani po përgatitet për një nga sezonet më të rëndësishme të historisë së tij të afërt. Rikthimi në kupat e Europës pas dy dekadash, merkatoja intensive e verës dhe pritshmëritë e mëdha për sezonin e ri kanë bërë që verdheblutë të jenë një nga skuadrat më të komentuara të momentit. Klubi po kalon një periudhë transformimi, ndërsa drejtuesit synojnë të ndërtojnë një ekip konkurrues jo vetëm për përballjen me BATE Borisov në Ligën e Konferencës, por edhe për të qenë sërish protagonist në Superiore.

sopot resmeliu

Për rrugëtimin e Elbasanit, projektin që është ndërtuar gjatë viteve të fundit dhe objektivat që e presin skuadrën në sezonin e ri, “Panorama Sport” mori mendimin e ishgjyqtarit të njohur të futbollit dhe opinionistit sportiv, Sopot Resmeliu. Sipas tij, suksesi i verdhebluve nuk ka ardhur rastësisht, por është rezultat i një pune të nisur prej vitesh, ndërsa beson se edhe ndryshimet e shumta në merkato nuk do ta pengojnë skuadrën të mbetet mes pretendentëve.

PROJEKTI – Resmeliu ndalet fillimisht te rrugëtimi që ka bërë Elbasani që nga krijimi i projektit të ri, duke e cilësuar atë si një histori suksesi që shumë pak e kishin parashikuar. ”Ky ekip i ri ka filluar nga “A”-ja pra pesë vitesh dhe në mënyrë të papritur shkoi deri tek “Zh”-ja, në mënyrë të suksesshme. Këtë gjë ndoshta shumë pak e kanë pritur, përveç atyre që morën këtë iniciativë. Doli kampion në të gjitha kategoritë ku luajti dhe për pak do të ishte edhe kampion i Superiores. Gjithsesi, me atë që tregoi Elbasani bëri një sezon të suksesshëm, i dha tonin futbollit shqiptar dhe u përball me të gjitha ekipet dhe tregoi vlerat e saj. Tani jemi në një fazë tjetër, në Europë, përballë një emri si Bate Borisov që ka luajtur edhe në grupe. Sa i përket merkatos janë bërë shumë lëvizje, por nuk e shoh problem. Mjafton që të krijohet një harmoni mes grupit dhe një arkitekt të mirë, siç është Gvozdenoviçi, kjo skuadër do të pretendojë sërish”, u shpre fillimisht Resmeliu.

EUROPA – Rikthimi në arenën europiane është një moment historik për klubin verdheblu. Përballë do të jetë BATE Borisov, një kundërshtar me emër dhe eksperiencë në kompeticionet europiane, por sipas Resmeliut kjo nuk duhet ta trembë aspak Elbasanin. Ai pranon se fanella e klubit bjellorus ka ende peshë në arenën ndërkombëtare, por thekson se verdheblutë duhet ta përballojnë këtë sfidë me besim dhe pa komplekse. ”Bate Borisov ka një emër të krijuar edhe në Europë, por tani nuk është më ai ekip i dikurshëm. Në këto kushte Elbasani mund të përballet denjësisht me këtë kundërshtar, por gjithsesi emri ekziston dhe në futboll fanella ka edhe rëndësinë e saj. Përderisa kemi ardhur deri këtu, Elbasani duhet të përballet pa frikë”, theksoi Sopot Resmeliu.

SEZONI I RI – Në fund, opinionisti sportiv shprehet optimist edhe për të ardhmen e verdhebluve në kampionatin shqiptar. Ai vlerëson se skuadra ka krijuar tashmë një mentalitet fitues dhe beson se, nën drejtimin e Ivan Gvozdenoviçit, Elbasani do të jetë sërish mes skuadrave që do të luftojnë për objektivat madhorë. ”Tek Elbasani ka hyrë një mentalitet fitues dhe jam i bindur se edhe vitin e ardhshëm do të pretendojnë. Kam besim edhe tek trajneri dhe është fat për Elbasanin që po e drejton në këto momente. Ndaj, sërish i shoh pretendentë”, theksoi Resmeliu. Me ndeshjen ndaj BATE Borisov që po afron dhe merkaton që vijon të prodhojë lëvizje, Elbasani po përgatitet për një sezon ku pritshmëritë janë më të larta se kurrë. Verdheblutë do të synojnë të konfirmojnë rritjen e tyre jo vetëm në arenën europiane, por edhe në kampionatin shqiptar, aty ku objektivi mbetet të jenë sërish në luftë për vendet e para.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL