Situata te “Demat” e Partizanit, Bratu-s i duhet një 11-tëshe stabël
Florin Bratu pritet të marrë shumë shpejt drejtimin e Partizanit, ndërsa një nga detyrat e para që do ta presë teknikun rumun do të jetë ndërtimi i një formacioni bazë. Pas një sezoni të vështirë, ku skuadra nuk arriti të siguronte një vend në “Final Four” dhe mbeti jashtë kupave të Europës, të kuqtë kanë nevojë për më shumë stabilitet dhe vazhdimësi, elemente që nisin pikërisht nga formacioni. Faza përgatitore do t’i japë trajnerit mundësinë të njohë nga afër çdo futbollist, por koha nuk është e pakufizuar.

Kampionati afrohet shpejt dhe Partizani duhet ta nisë sezonin me një ide të qartë, si në aspektin taktik, ashtu edhe për sa i përket emrave që do të mbajnë peshën kryesore të skuadrës. Vendosja e një formacioni bazë nuk do të thotë mungesë konkurrence. Përkundrazi, një skuadër që synon trofe duhet të ketë alternativa në çdo repart, por në të njëjtën kohë duhet të krijojë automatizma mes futbollistëve që zbresin më shpesh në fushë.
Në portë, Pano Qirko mbetet një nga pikat më të forta të ekipit. Eksperienca dhe siguria që transmeton e bëjnë atë një nga emrat e padiskutueshëm në projektin e ri, ndërsa prania e tij u jep besim edhe lojtarëve të repartit defensiv. Në mbrojtje, Bratu duhet të ndërtojë sa më shpejt boshtin e skuadrës. Preka dhe Atanaskoski përfaqësojnë bazën e qendrës së mbrojtjes, ndërsa në krahë Marku ofron garanci. Megjithatë, edhe afrimi i një qendërmbrojtësi tjetër pritet të rrisë konkurrencën dhe t’i japë trajnerit më shumë alternativa.
Mesfusha është reparti ku zgjedhjet janë më të shumta. Human, Dumbia, Qaka, Ismaili dhe Murataj janë futbollistë me karakteristika të ndryshme, por pikërisht për këtë arsye Bratu duhet të gjejë kombinimin që garanton ekuilibër mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese. Edhe në repartin ofensiv vendimet do të jenë të rëndësishme. Skuka mbetet pika kryesore e sulmit, ndërsa Keko, Sidibe dhe Shabani pritet të luftojnë për një vend në formacion. Sidibe vjen pas një gjysmësezoni pozitiv dhe këtë verë do të ketë avantazhin e kryerjes së plotë të fazës përgatitore me skuadrën, çka mund ta ndihmojë të ketë një ndikim edhe më të madh.
Nga ana tjetër, Shabani synon të lërë pas vështirësitë e muajve të parë dhe të tregojë potencialin e tij, ndërsa merkatoja mund t’i sjellë Bratut edhe një tjetër alternativë në krahët e sulmit. Përcaktimi i një formacioni bazë do ta ndihmojë skuadrën të krijojë automatizma, të përmirësojë komunikimin mes reparteve dhe të fitojë më shumë siguri në lojë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një ekip që sezonin e kaluar pati luhatje të shumta në paraqitje.
Natyrisht, gjatë sezonit do të ketë rotacion, pezullime dhe dëmtime, por bërthama e skuadrës duhet të jetë e qartë që në javët e para. Pikërisht mbi këtë bërthamë ndërtohen identiteti i ekipit dhe vazhdimësia e rezultateve. Bratu do të gjykohet jo vetëm për rezultatet, por edhe për mënyrën se si do ta organizojë skuadrën. Sa më shpejt të vendosë një formacion bazë dhe t’u japë futbollistëve role të qarta, aq më shumë mundësi do të ketë që Partizani ta nisë kampionatin me stabilitet dhe të rikthehet menjëherë në garën për objektivat madhorë.
PANORAMASPORT.AL













