Mesfushori i Kombëtares shqiptare bëhet i Napolit, Alegri e merr në skuadër
Luis Hasa po përje ton një verë ven dimtare për të ardhmen e tij. Mesfushori shqiptar, i cili është në pronësi të Napolit, pritet fillimisht të vlerësohet nga trajneri i ri Masimiliano Alegri gjatë fazës përgatitore verore, përpara se klubi të marrë një vendim për sezonin e ardhshëm.

Paralelisht, interesimi për 22-vjeçarin po shtohet edhe në merkato, me Sampdorian që e ka vendosur në listën e objektivave për të përforcuar mesfushën, ndërsa konkurrenca për kartonin e tij pritet të jetë e fortë.
PËRGATITJET ME NAPOLIN- E ardhmja e Luis Hasës do të kalojë fillimisht nga grumbullimi veror i Napolit. Sipas mediave italiane, Masimiliano Alegri dëshiron ta shohë nga afër mesfushorin shqiptar gjatë fazës përgatitore në Dimaro, për të vlerësuar nëse ai është gati të bëjë pjesë në projektin e skuadrës së parë.
Hasa vjen pas një sezoni shumë pozitiv në huazim te Karrarese, ku zhvilloi 31 ndeshje, realizoi pesë gola dhe dha katër asistime, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës në Serie B. Para transferimit te Napoli, ai ishte rritur në akademinë e Juventusit, ku ndërtoi bazat teknike dhe taktike që e kanë bërë një nga talentet më premtues në rolin e tij.
Napoli nuk dëshiron të nxitohet me vendimin për Hasën. Klubi synon ta testojë fillimisht gjatë përgatitjeve verore dhe vetëm më pas të vendosë nëse ai do të mbetet pjesë e ekipit të parë apo do të huazohet sërish për të vazhduar procesin e zhvillimit. Drejtuesit napolitanë nuk kanë ndërmend ta shesin përfundimisht futbollistin, pasi synojnë të shmangin përsëritjen e situatave të ngjashme me të kaluarën, kur disa lojtarë të rinj u larguan pa pasur mundësinë të tregojnë potencialin e tyre dhe më pas u afirmuan në nivele të larta.
INTERESIMI NGA SAMPDORIA- Ndërkohë që Napoli po përgatitet ta vlerësojë gjatë verës, Sampdoria ka nisur lëvizjet për të siguruar shërbimet e Luis Hasës. Klubi blucerchiat po ndërton një skuadër të re për sezonin e ardhshëm në Serie B dhe e konsideron mesfushorin shqiptar si një profil ideal për të rritur cilësinë në repartin e mesfushës. Performanca e tij me Karraresen nuk ka kaluar pa u vënë re. Përveç statistikave të mira, Hasa ka treguar vazhdimësi, inteligjencë taktike dhe aftësi për të krijuar lojë, karakteristika që e bëjnë një objektiv tërheqës për Sampdorian.
Megjithatë, operacioni nuk pritet të jetë i lehtë. Napoli dëshiron fillimisht ta testojë lojtarin në grumbullimin veror dhe vetëm më pas do të japë dritën jeshile për një largim të mundshëm, me shumë gjasa në formë huazimi. Kjo detyron Sampdorian të presë vendimin e klubit napolitan, ndërsa njëkohësisht duhet të përballet edhe me konkurrencën e Avellinos, që gjithashtu ka shfaqur interes konkret për mesfushorin.
Për momentin, e ardhmja e Luis Hasës mbetet e hapur. Java e fazës përgatitore me Napolin pritet të jetë vendimtare për të kuptuar nëse Allegri do t’i rezervojë një vend në skuadrën e parë apo nëse talenti shqiptar do të nisë një tjetër aventurë në huazim, me Sampdorian dhe Avelinon që janë gati të përfitojnë nga çdo mundësi.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













