Meksika sfidon Ekuadorin, superkompjuteri “Opta”: Kalojnë vendësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2026 | 23:09

Meksika sfidon Ekuadorin, superkompjuteri “Opta”: Kalojnë vendësit

Si vend organizator, Meksika ka humbur vetëm një nga 12 ndeshjet e zhvilluara në Kupën e Botës (8 fitore, 3 barazime), disfatë 4-1 ndaj Italisë në çerekfinalen e vitit 1970. Pas suksesit ndaj Gjermanisë, Ekuadori synon të fitojë dy ndeshje në të njëjtin edicion të Kupës së Botës për herë të dytë në histori, pas vitit 2006, kur mposhti Poloninë dhe Kosta Rikën.

anh-12-6a42818e5e45f

Meksika synon të vazhdojë ecurinë perfekte në Kupën e Botës 2026, teksa të martën përballet me Ekuadorin në fazën e 1/16-ave në stadiumin Azteka. Ajo vjen me moral të lartë.

Një nga vendet organizatore të turneut, Meksika e mbylli me lehtësi Grupin A, duke mposhtur Çekinë 3-0, pasi më parë kishte fituar edhe ndaj Afrikës së Jugut dhe Koresë së Jugut, pa pësuar asnjë gol. Mateo Çavez zhbllokoi sfidën ndaj çekëve, ndërsa Julian Kuinones u bë lojtari i parë që shënon më shumë se një gol për Meksikën në një edicion të Kupës së Botës që nga Javier Hernandez në vitin 2010. Tashmë Quiñones synon të bëhet vetëm lojtari i dytë meksikan që shënon në tri ndeshje të njëpasnjëshme në të njëjtin Botëror, pas Luis Hernandez në vitin 1998.

Për herë të parë që nga Botërori i vitit 1986, kur ishte gjithashtu organizatore, Meksika ka regjistruar tri ndeshje radhazi pa pësuar gol. Megjithatë, ajo nuk ka arritur kurrë katër porta të paprekura radhazi në një edicion të vetëm të turneut. Bilanci në shtëpi është gjithashtu mbresëlënës. Meksika ka humbur vetëm një nga 12 ndeshjet e saj në Kupën e Botës si organizatore, duke regjistruar tetë fitore dhe tre barazime.

Përqindja e fitoreve në fushën e saj është 67%, shumë më e lartë se ajo në ndeshjet e luajtura jashtë vendit. Megjithatë, “El Tri” ka një statistikë negative në fazat me eliminim direkt. Nga dhjetë ndeshjet e fundit në këto faza, ka fituar vetëm një (2 barazime dhe 7 humbje). Në nëntë rastet kur ka kaluar fazën e grupeve, Meksika është kualifikuar më tej vetëm një herë, në vitin 1986, kur eliminoi Bullgarinë pikërisht në stadiumin Azteca.

EKUADORI BESON

Ekuadori tregoi karakter të madh në ndeshjen ndaj Gjermanisë, duke përmbysur rezultatin dhe fituar 2-1 për të siguruar kualifikimin. Pas golit të shpejtë të Leroj Sane në minutën e dytë, ekuadorianët reaguan menjëherë me Nilson Angulo, ndërsa Gonzalo Plata realizoi golin e fitores pasi arriti i pari te topi përballë Manuel Nojer.

Falë këtij suksesi, Ekuadori u bë vetëm kombëtarja e dytë në shekullin XXI që kalon fazën e grupeve pa shënuar në dy ndeshjet e para, duke përsëritur arritjen e Greqisë në vitin 2014. Kjo është vetëm hera e dytë që Ekuadori arrin në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. E vetmja pjesëmarrje e mëparshme përfundoi me humbjen 1-0 ndaj Anglisë në 1/16-at e Botërorit 2006. Skuadra e drejtuar nga Sebastian Bekasese është dalluar për agresivitetin pa top. Vetëm Uruguai (520) dhe Kanadaja (488) ushtruan më shumë presion intensiv në gjysmën kundërshtare sesa Ekuadori (444) gjatë fazës së grupeve. Ndërkohë, vetëm Turqia (164) rikuperoi më shumë topa nga ky lloj presioni sesa ekuadorianët (150).

FORMACIONET

Të dyja skuadrat pritet të jenë me organikë të plotë, pasi nuk kanë probleme me dëmtime apo pezullime. Trajneri Havier Aguirre pritet ta rikthejë Raul Himenez në formacionin titullar, pasi e pushoi ndaj Çekisë. Ndërkohë, Raul Rangel pritet të vazhdojë si portier titullar, edhe pse në ndeshjen e fundit u zëvendësua për t’i dhënë mundësinë legjendës Guiljermo Oçoa të luante. Fituesi i këtij takimi do të përballet në 1/8-at me fituesin e çiftit Angli – RD Kongo, sërish në stadiumin Azteca. Meksika dhe Ekuadori janë ndeshur vetëm një herë në Kupën e Botës.

Në fazën e grupeve të Botërorit 2002, meksikanët fituan 2-1. Tre përballjet e fundit mes dy skuadrave në të gjitha kompeticionet kanë përfunduar në barazim, çka lë të kuptohet se edhe kjo sfidë mund të shkojë në kohën shtesë. Megjithatë, Meksika nuk ka një bilanc pozitiv ndaj skuadrave nga Amerika e Jugut në Kupën e Botës, me vetëm një fitore në 14 përballje (3 barazime dhe 10 humbje). Ajo fitore ishte pikërisht ndaj Ekuadorit në vitin 2002.

PARASHIKIMI I “OPTA”-S

Sipas superkompjuterit të Opta, pas 25 mijë simulimeve të kryera para ndeshjes: 46.4% është fitore e Meksikës në 90 minuta. 29.2%, barazim. 24.4%, fitore e Ekuadorit. Duke përfshirë edhe kohën shtesë dhe penalltitë, Meksika ka 60% mundësi për t’u kualifikuar në 1/8-at e finales, ndërsa shanset e Ekuadorit vlerësohen në 40%.

PANORAMASPORT.AL