Kampionët e Shqipërisë “në provën e zjarrit”, gjithçka vendoset në Moldavi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2026 | 0:29

Kampionët e Shqipërisë “në provën e zjarrit”, gjithçka vendoset në Moldavi

Numërimi mbrapsht ka nisur. Pas afro një muaji përgatitjesh intensive dhe katër ndeshjeve miqësore në Bullgari, Egnatia është gati për sfidën më të rëndësishme të fillimit të sezonit. Kampionët e Shqipërisë do të përballen me Petrokubin në Moldavi, në aktin e parë të turit të parë kualifikues të Ligës së Kampioneve, me synimin e qartë për të marrë një rezultat pozitiv që do t’i lehtësonte shumë punën në ndeshjen e kthimit në “Arena Egnatia”.

egnatia

Përballja e parë pritet të ketë një peshë të madhe në fatin e kualifikimit. Në Rrogozhinë janë të bindur se një rezultat pozitiv në transfertë do t’i vendoste në një pozicion të favorshëm për të administruar më pas gjithçka në shtëpi, aty ku do të kenë edhe mbështetjen e tifozëve.

SYNIMI – Në ndeshjet me eliminim direkt, rezultati i takimit të parë ka gjithmonë një rëndësi të veçantë. Egnatia e di mirë se një humbje do ta komplikonte ndjeshëm misionin, ndërsa një barazim ose, edhe më mirë, një fitore do t’i jepte avantazh të madh për sfidën e kthimit. Pikërisht për këtë arsye, stafi teknik nuk pritet të marrë asnjë rrezik. Nevil Dede kërkon një skuadër të ekuilibruar, të kujdesshme në fazën mbrojtëse, por njëkohësisht të aftë për të goditur në momentet e duhura. Objektivi është i qartë: të kthehet nga Moldavia me një rezultat që e mban Egnatian favorite për kualifikimin.

BESIMI – Përgatitjet e zhvilluara në Bullgari kanë dhënë sinjale shumë pozitive. Egnatia e mbylli fazën përgatitore me tri fitore në katër ndeshje, duke mundur Ballkanin, Dritën dhe së fundmi Botosanin. Humbja e vetme erdhi ndaj CSKA Sofies, por edhe në atë takim kampionët shqiptarë zhvilluan një ndeshje të mirë dhe treguan se mund të rivalizojnë me kundërshtarë të fortë. Ajo që ka kënaqur më shumë stafin teknik është fakti se skuadra ka shfaqur vazhdimësi në lojë, ka krijuar raste dhe ka qenë efikase para portës. Në katër testet e zhvilluara në Bullgari, Egnatia realizoi plot 10 gola, një statistikë që dëshmon potencialin ofensiv të skuadrës.

ALTERNATIVAT – Një tjetër aspekt pozitiv i kësaj faze përgatitore është konkurrenca e krijuar në grup. Afrimet e merkatos janë përshtatur shpejt me skuadrën dhe kanë rritur ndjeshëm cilësinë në çdo repart. Dede tashmë ka alternativa pothuajse për çdo pozicion, duke i dhënë mundësinë të zgjedhë formacionin më të përshtatshëm për përballjen me Petrokubin. Ky luks ka munguar në sezonet e kaluara, kur dëmtimet apo largimet e rëndësishme e kufizonin ndjeshëm stafin teknik. Tashmë situata është ndryshe. Organika është më e plotë, konkurrenca më e fortë dhe çdo futbollist është i vetëdijshëm se duhet të japë maksimumin për të fituar një vend në formacion.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL