Ish-kapiteni merr drejtimin e Korabit pas largimit të trajnerit, ja afrimet e para te dibranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2026 | 12:10

Ish-kapiteni merr drejtimin e Korabit pas largimit të trajnerit, ja afrimet e para te dibranët

Korabi do t’i japë fund pushimeve verore më 6 korrik, datë kur do të nisë zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri në Kategorinë e Parë. Edhe pse skuadra ka qenë në pushim, drejtuesit e klubit dibran kanë punuar intensivisht në disa drejtime, me synimin që ekipi të paraqitet sa më konkurrues dhe të realizojë objektivat e sezonit të ardhshëm.

sokol mziu

Paralelisht me ndërtimin e skuadrës, klubi ka investuar edhe në infrastrukturë. Në stadiumin “Korabi” kanë nisur punimet për rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes, mbjelljen e tapetit të ri me bar, si dhe ndërtimin e rrethimit anësor të stadiumit, për të përmirësuar kushtet për ekipin dhe tifozët.

Sokol Mziu merr drejtimin e skuadrës

Pas përfundimit me mirëkuptim të bashkëpunimit me trajnerin Alfred Deliallisi, drejtuesit e Korabit kanë vendosur t’ia besojnë pankinën një prej figurave më të njohura të klubit. Sokol Mziu, ish-kapiteni dhe një nga emrat më të spikatur në historinë e futbollit dibran, pritet të drejtojë skuadrën në sezonin e ri, duke marrë përsipër projektin për rikthimin e Korabit mes pretendentëve.

Nis puna për ndërtimin e grupit

Korabi ka siguruar vazhdimësinë e një pjese të rëndësishme të organikës, duke rinovuar kontratat me Leon Kozin, Uallace, Serxho Xhikën, Redon Razën, Redon Lahon, Edi Isterin, Hernan Reçin, Taulant Markun dhe Irdi Morinën. Ndërkohë kanë mbërritur edhe përforcimet e para. Klubit i janë bashkuar Eristotel Koleci, i ardhur nga Iliria, si dhe Ilir Allmuça, 29-vjeçari që sezonin e kaluar ishte pjesë e Lushnjës. Drejtuesit janë gjithashtu pranë marrëveshjes me Dejvi Duron, i cili pritet të vijë në formë huazimi nga Egnatia.

Përgatitjet dhe miqësoret

Programi stërvitor do të nisë më 6 korrik, ku si fillim grumbullohen në krye qytet. Nga data 15 korrik skuadra do të zhvillojë fazën kryesore përgatitore në qytetin e Peshkopisë, ku për rreth tre javë do të stërvitet në stadiumin “Korabi”. Pas përfundimit të kësaj faze, ekipi do të zhvendoset në Tiranë për të vijuar përgatitjet deri në nisjen e kampionatit. Gjatë kësaj periudhe, stafi teknik ka planifikuar edhe zhvillimin e disa ndeshjeve miqësore, të cilat do t’i shërbejnë harmonizimit të grupit dhe testimit të gjendjes së skuadrës përpara startit të sezonit.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL