EKSKLUZIVE/ Ish-portieri i Shpresave ndez merkaton, gjashtë klube në garë për Laroshin
Vokli Laroshi është një nga emrat që pritet të jetë në qendër të merkatos së verës. Portieri ka mbyllur zyrtarisht aventurën me Gjilanin dhe tashmë është lojtar i lirë, ndërsa nuk ka kaluar shumë kohë nga ndarja me klubin kosovar dhe telefonatat kanë nisur menjëherë. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se gardiani ka zgjuar interesin e disa klubeve, të cilat po lëvizin për të siguruar firmën e tij. Deri në këto momente, dy skuadra të Kategorisë Superiore, dy klube nga Maqedonia e Veriut dhe dy të elitës së Kosovës kanë shprehur interes dhe kanë vendosur kontaktet e para me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij.

Megjithatë, gara nuk mbyllet këtu. Burime bëjnë me dije se janë dhënë sinjale edhe nga kampionate jashtë rajonit, çka e lë plotësisht të hapur të ardhmen e portierit. Për momentin nuk ka një marrëveshje me asnjë klub dhe bisedimet ndodhen në fazën fillestare. Interesimi është konkret, por vendimi përfundimtar pritet të merret vetëm pasi lojtari dhe përfaqësuesit e tij të shqyrtojnë të gjitha alternativat që do të paraqiten gjatë javëve në vijim.
MOMENTI I DUHUR – Muajin e ardhshëm Laroshi mbush 25 vjeç dhe hyn në një tjetër fazë të karrierës. Për një portier, kjo është një moshë ku eksperienca e fituar ndërthuret me vazhdimësinë në nivel konkurrues. Fakti që është lojtar i lirë u jep mundësi klubeve të negociojnë drejtpërdrejt me të, pa qenë nevoja të paguajnë kartonin, ndaj edhe interesimi ka ardhur menjëherë pas largimit nga Gjilani. Një tjetër element që tërheq vëmendjen është edhe profili fizik i portierit. Me një gjatësi prej 190 centimetrash, Laroshi plotëson karakteristikat që kërkohen zakonisht për këtë rol, ndërsa në vitet e fundit ka qenë pjesë e rregullt e kampionatit elitar në Kosovë. Kjo ka bërë që emri i tij të monitorohet nga disa klube që kërkojnë të përforcojnë repartin e portës në këtë merkato.
KARRIERA – Laroshi është rritur në akademinë e Shkëndijës, ndërsa më pas ka ndërtuar karrierën e tij duke qenë pjesë e Turbinës, Partizanit, Llapit dhe së fundmi e Gjilanit. Me këto skuadra ai ka fituar eksperiencë në kampionate të ndryshme, duke u aktivizuar në mënyrë të vazhdueshme. Në elitën e futbollit të Kosovës numëron rreth 40 ndeshje, ndërsa në CV-në e tij figuron edhe një paraqitje në kualifikueset e Ligës së Konferencës. Më herët ka qenë pjesë edhe e përfaqësueses U-21, duke qenë në radarët e ekipeve të moshave.
E ARDHMJA – Aktualisht nuk ka një favorit për të siguruar shërbimet e portierit. Interesi nga klubet shqiptare, kosovare dhe maqedonase mbetet konkret, ndërsa pritet të shihet nëse në ditët në vazhdim do të materializohen edhe kontaktet nga kampionate të tjera europiane. Me statusin e lojtarit të lirë, merkatoja e Laroshit pritet të marrë zhvillime në javët e ardhshme. Deri atëherë, portieri do të vazhdojë të vlerësojë të gjitha alternativat, përpara se të vendosë se ku do ta vazhdojë karrierën në sezonin e ri.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













