Bylisi i ri nis nga seleksionimet, klubi synon të mbushë arkat nga shitja e disa lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2026 | 13:13

Bylisi i ri nis nga seleksionimet, klubi synon të mbushë arkat nga shitja e disa lojtarëve

Pushimeve te Bylisi po u vjen fundi. Mallakastriotët pritet të nisin shumë shpejt përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa faza e parë do të zhvillohet në Ballsh, në kushtet e shtëpisë. Fillimisht, stafi teknik do të organizojë një minifazë seleksionuese, ku do të testohen futbollistë vendas dhe të huaj.

bylis

Interesi për t’u provuar te Bylisi ka qenë i madh, me shumë lojtarë të rinj që kanë shprehur dëshirën për t’iu bashkuar skuadrës. Ndërkohë, kanë nisur të rikthehen edhe futbollistët e huaj, kryesisht afrikanë, të cilët kanë kaluar pushimet në vendet e tyre. Bylisi vazhdon të mbështetet te një grup lojtarësh nga Ballkani, Brazili dhe Afrika, model që i ka dhënë rezultate edhe në sezonet e fundit. Sa i përket merkatos, disa largime janë tashmë të konfirmuara. Klubin e kanë lënë Ozols, Muriç dhe Përgjoni, ndërsa nuk përjashtohet edhe shitja e futbollistëve si Kamara, Përndreca dhe Marku. Për ta ka interes nga klube të ndryshme, por drejtuesit do të shqyrtojnë me kujdes ofertat më të mira, si nga ana financiare, ashtu edhe për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës së lojtarëve.

Paralelisht me lëvizjet në merkato, klubi po kujdeset edhe për infrastrukturën. Impiantet stërvitore janë gati, ndërsa po merren masat për akomodimin e futbollistëve, si në kompleksin “Gjanica”, ashtu edhe për lojtarët e huaj që banojnë në Fier dhe Vlorë. Meqenëse kampionati i Kategorisë së Parë nis më vonë se Superiorja, në Ballsh nuk kanë ndërmend të nxitojnë me përgatitjet. Përkundrazi, drejtuesit synojnë të ndërtojnë me qetësi një skuadër konkurruese, duke afruar jo vetëm elementë nga ekipi B dhe akademia, por edhe futbollistë me eksperiencë nga klube të tjera.

Objektivi është i qartë, ndërtimi i një ekipi të fortë, cilësor dhe me një kombinim të lojtarëve me eksperiencë dhe talenteve të rinj, vendas e të huaj. Sezoni i ri në Kategorinë e Parë pritet të jetë ndër më të fortët e viteve të fundit, me të paktën pesë ose gjashtë skuadra që do të synojnë seriozisht ngjitjen në elitë. Konkurrenca pritet të jetë e ashpër, por Bylisi mbetet një nga klubet më me përvojë në këtë kategori, duke qenë edhe skuadra me më shumë trofe në historinë e Kategorisë së Parë mes ekipeve që do të marrin pjesë në edicionin e ri.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL