BOKS/ Tajson Furi, me rival polak para superduelit kundër Xhoshuas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2026 | 18:12

BOKS/ Tajson Furi, me rival polak para superduelit kundër Xhoshuas

Përballja e shumëpritur mes Tajson Furit dhe Antoni Xhoshuas po afrohet. Dueli ndërmjet dy boksierëve britanikë, për të cilin flitet prej më shumë se dy vitesh, është planifikuar të zhvillohet gjatë vitit 2026.furiMegjithatë, përpara këtij supersfide, të dy duhet të kalojnë nga një ndeshje paraprake. Siç dihet tashmë, Xhoshua, pas aksidentit rrugor që pësoi në dhjetor, ka pranuar të ngjitet në ring kundër Kristian Prengës, duel që do të zhvillohet më 25 korrik në Riad të Arabisë Saudite.

Në Britani as që e diskutojnë fitoren e Xhoshuas kundër boksierit shqiptar, ndërsa e gjithë vëmendje është të sfida pasardhëse, me Furin. Ndërkohë, së fundmi është zyrtarizuar se vetëm një ditë para këtij dueli, më 24 korrik, në ring do të rikthehet edhe Tajson Furi, i cili do të përballet me polakun Marius Vah në Tajlandë. Vah, 46 vjeç, ka fituar vetëm tri nga dhjetë ndeshjet e tij të fundit. Ai vjen pas humbjes ndaj Viktor Vykhryst në muajin mars, në një duel ku ishte në lojë titulli europian i peshave të rënda. Polaku numëron 39 fitore në 52 duele si profesionist, 20 prej tyre me nokaut.

Në prill, promotori i Xhoshuas, Edi Hërn, konfirmoi se përballja me Furin ishte arritur, duke deklaruar: “E nënshkruar, e vulosur dhe e mbyllur”. Këto deklarata erdhën pasi “Gypsy King” u rikthye në ring pas 15 muajsh largim, duke mposhtur me pikë rusin Arslanbek Makhmudov në stadiumin “Tottenham Hotspur” në Londër. Me Antoni Xhoshuan në rreshtin e parë të tribunës, Furi e sfidoi publikisht bashkatdhetarin e tij menjëherë pas ndeshjes: “Dua të të jap ndeshjen që të gjithë kanë pritur. Dua të përballem me ty, Antoni Xhoshua. Le t’u japim tifozëve të boksit atë që duan, ‘Betejën e Madhe Britanike’. Dua të luftoj me ty në ndeshjen time të radhës. A e pranon sfidën?”.

Sipas marrëveshjes mes dy kampionëve, dueli i shumëpritur pritet të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar, me datën që mund të caktohet gjatë muajit nëntor ose dhjetor.

PANORAMASPORT.AL