Lëvizjet te Vllaznia/ Alarm në Shkodër, vetëm Balaj dhe Toma për sulmin
Pas një periudhe intensive në fillim të merkatos verore, Vllaznia ka ulur ndjeshëm ritmin e lëvizjeve në tregun e transferimeve. Ditët e fundit kanë kaluar pa zyrtarizime dhe pa shumë zhurmë mediatike, duke krijuar përshtypjen se drejtuesit kuqeblu kanë zgjedhur të punojnë larg vëmendjes.
Një strategji e tillë nuk është e pazakontë në merkato, ku shpesh negociatat më të rëndësishme zhvillohen në heshtje, larg deklaratave publike dhe pritshmërive të tifozëve. Megjithatë, qetësia nuk do të thotë se puna ka ndalur. Sipas informacioneve që qarkullojnë pranë klubit, drejtuesit e Vllaznisë janë të angazhuar për të sjellë futbollistë të tjerë, me synimin për ta kompletuar skuadrën përpara nisjes së sezonit të ri.
Bisedimet vijojnë në disa pista dhe objektivi është që afrimet e ardhshme të jenë lojtarë që rrisin menjëherë nivelin e ekipit dhe i japin trajnerit më shumë alternativa në repartet ku ka më tepër nevojë. Prioriteti kryesor në këtë moment duket të jetë faza sulmuese. Aktualisht, në dispozicion të skuadrës për qendrën e sulmit janë vetëm kapiteni Bekim Balaj dhe Rrok Toma. Edhe pse bëhet fjalë për dy futbollistë me karakteristika të ndryshme, është e qartë se ata nuk mjaftojnë për të përballuar ngarkesën e një sezoni të gjatë, ku Vllaznia do të jetë e angazhuar në kampionat, Kupën e Shqipërisë dhe, fi llimisht, edhe në arenën europiane.
Konkurrenca dhe alternativat në repartin ofensiv konsiderohen të domosdoshme për një skuadër me objektiva të larta. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit kuqeblu kanë përqendruar vëmendjen te afrimi i të paktën një tjetër futbollisti ofensiv, pa përjashtuar mundësinë që nëse krijohen kushtet e duhura, të shtohen edhe më shumë opsione në vijën e parë. Ideja është që trajneri të ketë më shumë zgjedhje taktike dhe të mos mbështetet vetëm te Balaj apo Toma, sidomos në një sezon ku dëmtimet, pezullimet dhe kalendari i ngjeshur mund të ndikojnë ndjeshëm në ecurinë e skuadrës. Për momentin, në Shkodër mbizotëron qetësia, por jo pasiviteti.
Vllaznia po lëviz me “silenciator” në merkato, duke shmangur bujën dhe duke punuar në prapaskenë për të fi nalizuar goditjet e radhës. Tifozët presin me interes zhvillimet e ditëve në vijim, me shpresën se drejtuesit do të arrijnë të sjellin përforcimet e nevojshme për ta bërë skuadrën edhe më konkurruese në prag të nisjes së sezonit të ri.
PANORAMASPORT.AL













