E KONFIRMUAR/ Një titullar e duan ushtar! Egnatia me një mungesë të rëndësishme në Champions
Skuadra e Egnatias nuk do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët për ndeshjet e Ligës së Kampioneve ndaj Petrokub, pasi i mungon një nga futbollistët i cili në teori ishte planifikuar mes titullarëve për këtë edicion.

Mbrojtësi azer Zamig Alijev nuk i është bashkuar skuadrës në fazën përgatitore që ka kryer për ndeshjet e turit të parë, pasi nuk është lejuar nga autoritetet në vendlindjen e tij të largohet nga vendi. Atij i ka mbërritur njoftimi për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak e kësisoj, mbrojtësi 25-vjeçar është i detyruar që të respektojë rregullat e shtetit të tij që janë shumë të rrepta.
Burime pranë klubit të Egnatias konfirmojnë për “Panorama Sport” se pavarësisht kësaj situate, që në teori do të çonte drejt prishjes së kontratës me mbrojtësin, po negociohet dhe po kryhen disa procedura që mund të lirojnë futbollistin nga ky shërbim. Ndaj situata vlerësohet “në pritje”, edhe pse është e qartë se nuk do të kenë shërbimet e futbollistit për të paktën dy ndeshjet ndaj Petrokub.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













