FORMULA 1/ Prapaskena, Ekleston: Provova ta bindja Hornerin të shkonte te Ferrari
Tregu i Formulës 1 vazhdon të zbulojë lëvizje të mëdha prapa skenave, madje edhe nga figura që nuk drejtojnë më zyrtarisht në kategorinë më prestigjioze të automobilizmit. Ish-shefi i Formulës 1, Berni Ekleston, ka zbuluar se u përpoq ta bindte Kristian Hornerin të merrte drejtimin e Ferrarit, pas largimit të tij të bujshëm dhe të papritur nga Red Bull.

Horner u shkarkua nga posti i drejtuesit të ekipit Red Bull në korrik të vitit 2025, duke i dhënë fund një epoke të gjatë në krye të skuadrës së pijeve energjike. Që prej asaj kohe, spekulimet për rikthimin e tij në “paddock” nuk janë ndalur. Është folur si për krijimin e një ekipi të ri nga ana e tij, ashtu edhe për mundësinë e blerjes së 24% të aksioneve të skuderisë Alpine, të cilat aktualisht janë në shitje përmes fondit “Otro Capital”.
Në moshën 95-vjeçare, Ekleston vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Hornerin dhe e sheh me kujdes situatën delikate me të cilën ai mund të përballet nëse vendos të rikthehet në Formula 1. “Kristian ndodhet tashmë në një pozitë të vështirë”, tha miliarderi britanik. “Kudo që të shkojë, nëse nuk arrin sukses, njerëzit do të thonë: ‘Ah, Kristian, ishe shumë i mirë te Red Bull me buxhete të mëdha dhe gjithçka tjetër, por tani nuk po fiton’. Kjo e bën situatën shumë të ndërlikuar për të. Flas shpesh me të. Fillimisht u përpoqa ta bindja që të shkonte te Ferrari”, u shpreh Ekleston.
I pyetur nëse e sheh Hornerin në të ardhmen në krye të skuadrës nga Maranelo, ish-numri një i Formulës 1 u përgjigj shkurt: “Nuk kam asnjë ide”. Besnik stilit të tij të drejtpërdrejtë, Ekleston nuk u ndal vetëm te e ardhmja e Hornerit. Ai zbuloi se, po të varej prej tij, Ferrari duhej të synonte një objektiv edhe më të madh, Maks Vershtapenin. “Do t’i kisha këshilluar, vitin e kaluar, që të merrnin Vershtapenin te Ferrari”, deklaroi ai pa hezitim.
PANORAMASPORT.AL













