LISTA/ Tronditet Superiorja, largohen 77 lojtarë! Klubet e elitës shqiptare ndryshojnë rrënjësisht organikën e tyre
Tronditet Superiorja. Deri tani janë 77 largime nga skuadrat shqiptare, ose 70 përqind e lojtarëve që mund të luajnë si titullarë. Ky është bilanci i ditës së parë të merkatos së transferimeve në hyrje dhe në dalje.

Deri në këtë moment, skuadrat e mëdha që dolën në katërshen e parë kanë ndryshuar nga 5 deri në 11 futbollistë, me Elbasanin, Vllazninë dhe Dinamon që kanë përmbysur gjithë organikën e tyre. Dhe hemorragjia do të vazhdojë. Të tjerë emra nuk janë në planet e klubeve shqiptare. Në këtë analizë nuk llogariten futbollistët që janë larguar nga klubet para se të mbyllej sezoni apo ata ende të pakonfi rmuar.
GJENDJA – Merkatoja po ndryshon rrënjësisht fytyrën e Kategorisë Superiore. Klubet shqiptare kanë nisur një proces të gjerë rindërtimi, duke u ndarë me dhjetëra futbollistë. Deri në këtë fazë të merkatos, plot 76 lojtarë janë larguar nga skuadrat e elitës së futbollit shqiptar, mes ikjes përfundimtare dhe mbylljes së huazimeve. Drejtuesit e klubeve kanë vendosur të ndërhyjnë rrënjësisht në organikat e tyre, duke mos rinovuar kontratat me një pjesë të lojtarëve ose këta të fundit kanë ikur pasi kanë kërkuar më shumë para. Kjo tregon se shumica e skuadrave kanë zgjedhur të nisin një cikël të ri, me synimin për të ndërtuar ekipe më konkurruese për sezonin 2026-2027.
NDRYSHIMI I MADH – Skuadra që ka bërë revolucionin më të madh është Vora. Debutuesit në elitë kanë larguar plot 13 futbollistë nga organika e sezonit të kaluar. Pas saj renditet Teuta me nëntë largime, ndërsa Elbasani ka mbyllur bashkëpunimin me tetë futbollistë. Vllaznia ka larguar shtatë lojtarë, po aq sa Dinamo nëse merren në konsideratë vetëm largimet e konfi rmuara, ndërsa Tirana, Laçi dhe Egnatia kanë nga pesë largime secila. Skënderbeu ka bërë katër dalje, ndërsa Partizani është skuadra që deri tani ka lëvizur më pak në këtë aspekt, me vetëm tre largime. Përveç largimeve përfundimtare, edhe huazimet kanë qenë një instrument i përdorur shpesh nga klubet. Vllaznia ka kthyer nga huazimi Kevin Dodajn, Çarls Bismark dhe Elmando Gjinin, Tirana e ka mbyllur me Rijad Kobiljarin, Anton Kresiçin dhe Diar Halilin. Nga Vora janë Dario Daka dhe Çibuike Ohaegbulam, ndërsa Dinamo ka dërguar Ledio Beqjan në skuadrën që ka pronësinë e kartonit të shqiptarit. Në total janë regjistruar 66 largime të konfi rmuara dhe 11 huazime, duke e çuar në 77 numrin e futbollistëve që kanë lënë për momentin klubet e Kategorisë Superiore. Janë edhe dy lojtarë me pikëpyetje. Kjo është një shifër që pritet të rritet, pasi merkatoja sapo është hapur dhe deri në 1 shtator, gjërat mund të ndryshojnë.
PIKËPYETJET – Te Dinamo ende nuk janë zyrtarizuar situatat e Tiago Nani dhe Bakari Gudiabisë, të cilët janë shumë pranë largimit. Nëse edhe këto dy lëvizje konfi rmohen, atëherë numri i largimeve përfundimtare do të shkojë në 68, ndërsa totali i futbollistëve që do të kenë lënë klubet e Superiores gjatë kësaj vere do të arrijë në 79.
PANORAMASPORT.AL













