Rivalët e Elbasanit prekin fundit, bëjnë 12 ndeshje pa fitore në kampionat dhe janë kandidatë për të rënë nga kategoria
Klubi i BATE Borisov do të jetë kundërshtari i Elbasanit në turin e parë të Ligës së Konferencës. Në teori duhej të ishte një ndeshje e vështirë ndaj bjellorusëve që kanë eksperiencë në Europë. Por në praktikë, klubi bjellorus edhe pse është në mes të sezonit, po kalon një formë tmerrësisht të keqe.

BATE sot ka luajtur ndeshjen e javës së 14 në kampionat dhe është mundur me shifrat 1-0 në shtëpi nga FC Gomel. Një humbje që çon në 12 numrin e ndeshjeve pa fitore në kampionat për kundërshtarët e Elbasanit. Ata kanë fituar vetëm një ndeshje në këtë sezon, atë të javës së dytë të kampionatit më 5 prill, e që atëherë nuk njohin shijen e suksesit në ligën e tyre.
Në total BATE ka 1 fitore, 6 barazime edhe 7 humbje, si dhe një golavarazh 9-17 pas 14 javësh kampionat në të cilat ka mbledhur vetëm 9 pikë dhe mban vendin e parafundit në renditje, duke qenë një nga kandidatët kryesorë për të rënë nga kategoria. Ndaj për Elbasanin, ky mund të jetë shansi i artë për të debutuar me një kualifikim historik.
PANORAMASPORT.AL













