TENIS/ Rikthimi i legjendës, Serena Uilliams mundet nga një rivale 25 vite më e re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2026 | 19:52

TENIS/ Rikthimi i legjendës, Serena Uilliams mundet nga një rivale 25 vite më e re

Serena Uilliams u rikthye në një ndeshje teke në Uimbëlldon, plot 1.397 ditë pas paraqitjes së saj të fundit si lojtare profesioniste në një turne Grand Slam, kur u eliminua në raundin e tretë të “US Open 2022” nga Ajla Tomljanoviç.SERENAFati deshi që në raundin e parë të turneut në bar, përballë saj të ishte një tjetër australiane, Maja Xhoint, një nga talentet më premtuese të brezit të ri. Serena e nisi ndeshjen duke pritur shërbimin dhe arriti ta mbante rezultatin në ekuilibër. Madje krijoi edhe dy mundësi për t’u shkëputur, por Xhoint i neutralizoi të dyja. Diferenca mes tyre ishte e dukshme, pasi australiania sapo ka mbushur 20 vjeç, ndërsa Serena është pranë 45-vjetorit.

Për nga mosha, Maja mund të ishte pothuajse vajza e Serenës. Megjithatë, fizikisht ato janë krejt të ndryshme. Xhoint, me flokë të kuq dhe trup më të hollë, u tregua e duruar, duke pritur që ritmi dhe lodhja të bënin efektin e tyre ndaj kampiones amerikane. Goditjen e parë vendimtare australiania e dha në lojën e tetë, kur realizoi “break”-un e parë. Nga tribuna e saj duartrokiste Samanta Stosur, një prej kampioneve të fundit australiane të Grand Slam-it, ndërsa në kampin e Serenës ishte ish-tenistja Renae Stubs. Në tribunë nuk mungonte as motra e saj, Venus Uilliams. Prania e një kampioneje me 23 tituj Grand Slam ishte imponuese, sidomos për një teniste kaq të re si Xhoint, e renditur e 87-ta në botë dhe me vetëm tri fitore gjatë këtij sezoni.

Xhoint bëri punën e saj me qetësi dhe fitoi setin e parë duke dhënë përshtypjen se kishte bërë vetëm aq sa duhej. Në tribunë Serena ndiqej nga vajza e saj e madhe, Olimpia. Pikërisht dëshira për të luajtur sërish para saj, por edhe për t’u ribashkuar në fushë me motrën Venus, ishte një nga arsyet e rikthimit të saj. Të dyja pritet të garojnë së bashku në konkurrimin e dysheve gjatë kësaj jave. Amerikania, e mësuar të fitojë, u largua sërish pa sukses. Fitorja e saj e fundit si profesioniste daton në raundin e dytë të US Open 2022, ndaj Anet Kontaveit. Sot Serena është më shumë sipërmarrëse sesa teniste, nuk ka më asgjë për të provuar, por tregoi se ende zotëron nivel fizik për të konkurruar në qarkun “WTA”.

Natyrisht, krejt tjetër është sfida për të fituar sërish një turne Grand Slam dhe për të arritur shifrën historike prej 24 titujsh, rekord që ndahet nga Margaret Kurt dhe Novak Xhokoviç te meshkujt. Serena dha gjithçka për të fituar setin e dytë. Presioni psikologjik ndikoi dukshëm edhe te Xhoint, por në fund përgatitja fizike bëri diferencën. Pas kësaj ndeshjeje, bilanci i Serenës mbetet 858 fitore dhe 157 humbje në karrierën e saj profesioniste. Edhe pse u mposht me rezultatin 3-6, 7-6 (8-6), 3-6, ajo fitoi edhe një herë respektin e publikut dhe të gjithë botës së tenisit.

Pas një ndeshjeje që zgjati 2 orë e 22 minuta, gjëja e fundit që dëshironte amerikania ishte të dilte para gazetarëve për konferencën e zakonshme për shtyp. Për këtë arsye, ajo injoroi qindra kërkesa për t’u paraqitur para mediave, edhe pse rregullorja e turneut e detyron një gjë të tillë. Në rast të kundërt, rrezikonte një gjobë deri në 50 mijë dollarë. Serena u mjaftua me një deklaratë shumë të shkurtër: “Ishte fantastike të luaja sërish në Uimbëlldon. Nuk e kisha menduar kurrë se kjo do të ndodhte përsëri dhe atmosfera ishte e jashtëzakonshme”.

PANORAMASPORT.AL