Karlo Ançeloti, figura atërore që ka gjithmonë një plan për Brazilin
OPINION NGA RODRIGO

Gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve në vitin 2022 në “Santiago Bernabéu”. Mbi 60 mijë tifozë në tribuna dhe Mançester Siti në avantazh 1-0. Unë isha në stolin e Real Madridit kur Karlo Ançeloti më thirri dhe më tha të futesha në fushë, të luaja me guxim dhe ta vendosja ndeshjen. Hyra në minutën e 68-të. Në të 90-ën shënova golin e parë, por ende ishim në disavantazh në rezultatin e përgjithshëm. Loja rifi lloi dhe vetëm një minutë më vonë shënova sërish, duke e çuar sfidën në kohën shtesë. Ne fituam dhe pjesa tjetër është histori: një tjetër titull i Ligës së Kampionëve për Real Madridin, pas triumfi t ndaj Liverpulit në finale. E kujtoj këtë moment për të treguar se sa të rëndësishëm janë trajnerët në rrugëtimin e një skuadre dhe sa vendimtar është roli i tyre në karrierën e një futbollisti.
Shumë nga puna e tyre mbetet e padukshme për publikun. Kam pasur fatin të punoj gjatë me Karlo Ançelotin dhe besoj se vetëm lojtarët mund ta kuptojnë plotësisht metodën e tij. Futbolli i vërtetë zhvillohet larg kamerave, në dhomat e zhveshjes dhe në bisedat e përditshme. Për mediat dhe për këdo që është jashtë skuadrës është e vështirë të parashikojë se çfarë do të bëjë ai. Shpesh mendojnë se do të zgjedhë një rrugë, por në fund zgjedh një tjetër. Por një gjë është e sigurt: Vendimet e tij nuk janë kurrë të rastësishme.
Çdo zgjedhje është e menduar me kujdes dhe mbështetet në një harmoni të jashtëzakonshme mes intuitës, zemrës dhe njohurive të tij të thella taktike, si edhe në aftësinë për të menaxhuar një grup futbollistësh. Ançeloti është si një fi gurë atërore për ne. E admiroj pafundësisht, jo vetëm si trajner, por edhe si njeri. Ai flet me ne, na këshillon dhe na udhëzon si për futbollin, ashtu edhe për jetën. Kam dëgjuar se po realizohet një serial ose dokumentar për Ançelotin dhe jam i bindur se do të jetë i jashtëzakonshëm. Sot, rrjetet sociale, kanalet në YouTube dhe dokumentarët na japin mundësinë të shohim shumë më tepër nga jeta e brendshme e klubeve dhe kombëtareve, duke zbuluar momente që dikur mbeteshin sekrete ose rrëfeheshin vetëm vite më vonë në autobiografi . Megjithatë, shumë gjëra vazhdojnë të mbeten private. Pikërisht në dhomat e zhveshjes dhe në mbledhjet e skuadrës shfaqet madhështia e një trajneri: në bisedat për familjen, në mënyrën si menaxhon pakënaqësitë dhe në vendosmërinë me të cilën të tregon rrugën e duhur.
Trajneri i parë që pa potencialin tim, përveç babait tim, ishte Erik Goes, një ish-futbollist që vazhdon të më frymëzojë edhe sot. Isha vetëm gjashtë vjeç dhe luaja futboll në rrugët e Osaskos, pranë Sao Paulos, me djem që ishin më shumë se dy herë më të mëdhenj se unë. Ata stërviteshin në një akademi lokale, ndërsa unë isha ende shumë i vogël për t’u regjistruar. Një ditë trajneri i akademisë ndaloi për të parë ndeshjen tonë të improvizuar, atë që ne në Brazil e quajmë pelada. Pasi mbaruam lojën, më thirri, më bëri një fotografi dhe më regjistroi në turneun komunal me ekipin e lagjes, edhe pse isha gjysma e moshës së lojtarëve të tjerë.
Aty kuptova se babai kishte të drejtë. Për t’u bërë më i mirë, duhej të përballesha me më të fortët dhe t’i mposhtja. Kur isha në akademinë e Santosit, shikoja skuadrën e parë dhe ëndërroja ditën kur do të vishja atë fanellë, ndërsa tifozët do të thërrisnin emrin tim në stadiumin Vila Belmiro. Trajneri Jair Ventura ishte ai që më hapi derën. Ai më promovoi në ekipin e parë në vitin 2017 dhe më dha mundësinë të tregoja talentin tim. Jair thotë se për të është shumë e rëndësishme ana njerëzore e futbollistëve. Ai dëshiron të njohë jetën dhe ëndrrat e tyre. Një ditë i tregova se një nga objektivat e mi ishte të luaja për Real Madridin. Ai besoi tek unë dhe fillova të merrja gjithnjë e më shumë minuta.
Pas dhjetëra ndeshjesh, në vitin 2018, erdhi oferta nga Real Madridi dhe Ventura ishte ndër të parët që e mori vesh. Para Botërorit të vitit 2022, trajneri i Brazilit, Tite, e telefonoi Venturën për të diskutuar rreth një futbollisti tjetër, por ai përfi toi nga rasti për të folur edhe për mua. I shpjegoi stilin tim të lojës dhe pikat e mia të forta. Ventura thotë se unë isha një lojtar i veçantë dhe se ai vetëm më ndihmoi të nisja karrierën profesioniste. Ai përdor fjalën “vetëm”, pa e kuptuar se pikërisht ai “vetëm” mund të ndryshojë gjithçka në jetën e një futbollisti. Pak kohë më vonë mora ftesën e parë në kombëtaren A të Brazilit dhe mbeta pjesë e ekipit të Tites deri në Botërorin e Katarit, që ishte Kupa ime e parë e Botës.
Së fundmi takova Luiz Felipe Skolarin në prapaskenat e emisionit “Seleção Copa”, në kanalin brazilian “SporTV” në Nju Jork. Atëherë e kuptova pse skuadra kampione e botës në vitin 2002 quhej “Familja Skolari”. Felipao e sheh futbollin si një vend ku krijohen marrëdhënie të vërteta. Për të, futbollistët janë para së gjithash njerëz, me virtytet, dobësitë, potencialin dhe karakterin e tyre. Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur fatin të punoj me trajnerë të mëdhenj dhe me njerëz që i respektoj shumë, si Zinedine Zidane, Fernando Diniz, Çabi Alonso dhe Alvaro Arbeloa. Aktualisht po vazhdoj rikuperimin tim me shpresën e madhe se do t’i bashkohem së shpejti Real Madridit nën drejtimin e Zhoze Mourinjos, një trajner që ka gjithçka për ta rikthyer klubin në rrugën e trofeve. Në një botë kaq konkurruese si futbolli, është e pamundur të mos jesh i emocionuar për mundësinë e punës me një trajner që njihet në mbarë botën si “The Special One”.
PANORAMASPORT.AL













