Rruga e Anglisë drejt finales së Kupës së Botës, ja kundërshtarët e mundshëm të “Tre Luanëve”
Fitorja me përmbysje 2-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos i siguroi Anglisë vendin në 1/16-at e Kupës së Botës 2026, ku skuadra e Tomas Tuhel do të përballet me bashkëorganizatorët Meksikë në stadiumin “Estadio Azteka”, një nga transfertat më të vështira të turneut. Anglia do të luajë në orën 02:00 të mëngjesit (me orën e Shqipërisë), në atë që do të jetë ndeshja e parë jashtë Shteteve të Bashkuara në këtë Botëror.

1/16-AT – MEKSIKA Meksika shihet si një nga kundërshtarët më të frikshëm të kësaj faze. Ata kanë shkëlqyer deri tani, duke fituar të gjitha ndeshjet e grupit dhe duke kaluar me lehtësi Ekuadorin në fazën me eliminim direkt. Me 8 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar në katër ndeshje, ata vijnë në këtë përballje me besim maksimal dhe me avantazhin e madh të stadiumit “Azteca”, ku mbështetja e tifozëve dhe kushtet e lartësisë së madhe e bëjnë çdo ndeshje shumë të vështirë për kundërshtarët.
ÇEREKFINALJA – BRAZILI Nëse Anglia kalon Meksikën, rruga bëhet edhe më e ashpër. Në çerekfinale, kundërshtari më i mundshëm është Brazili, një skuadër që historikisht ka qenë problem për Anglinë në Botëror. Brazilianët e kanë fituar grupin e tyre dhe mbeten një nga ekipet më të talentuara të turneut, me Vinicius Zhunior si lider ofensiv. Megjithatë, forma e tyre nuk është perfekte, pasi kanë kaluar me vështirësi Japoninë falë një goli në fund nga Gabriel Martineli. Në raundin e 1/16-ave, Brazili përballet me Norvegjinë.
GJYSMËFINALJA – ARGJENTINA Në gjysmëfinale, në letër, projektohet një përballje e madhe me Argjentinën e Lionel Mesit. Edhe pse është e vështirë të parashikohen me saktësi katër skuadrat e fundit, reputacioni dhe forma e deritanishme e bëjnë Argjentinën një nga favoritët kryesorë për të arritur deri në këtë fazë. Një duel Angli–Argjentinë do të ishte një nga përballjet më të mëdha të turneut, sidomos duke marrë parasysh se për Mesin ky mund të jetë Botërori i fundit në karrierë.
FINALJA – FRANCA Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, finalja e madhe mund të jetë Angli–Francë. Një ndeshje e nivelit më të lartë, ku francezët e udhëhequr nga Kilian Mbape shihen si një nga ekipet më të forta të turneut. Avantazhi i Anglisë në short është se ka shmangur pjesën më të vështirë të tabelës ku ndodhen Spanja dhe Franca së bashku, por gjithsesi rruga mbetet jashtëzakonisht e vështirë. Në këtë skenar, Franca shihet si favorite për të arritur në finale, duke vendosur një përballje klasike në stilin e një “finale Champions League” mes superfuqive të futbollit botëror.
PANORAMASPORT.AL













