Te Vllaznia me dilema para “klasikes”, mungesa të rëndësishme ndaj Tiranës
Përballja e radhës në kampionat për Vllazninë do jetë “klasikja” kundër Tiranës. Duel që do luhet në kuadër të javës së 8-të të Superiores, me takimin që do të startojë të premten në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Në prag të këtij takimi, për trajneri Martini ka disa dilema përsa i përket formacionit startues, kjo pasi shkodrani duhet t’i bëjë llogaritë me disa mungesa. Ku Qato dhe Dros do e kenë të pamundur të jenë pjesë e sfidës ndaj bardhebluve, si shkak i lëndimeve që kanë.
Teksa në orët në vijim do vendoset edhe për Muratajn dhe Bismark, me dyshen që me shumë mundësi do jenë në stol ndaj Tiranës. Kështu në formacionin startues të Vllaznisë në këtë klasike pritet që nga porta ta nisë Pohls. Me portierin gjerman që ka qenë një siguri në këto javë për katërkëndorin shkodran. Në mbrojtje i rikthyeri i madh është Elmando Gjini, që ka kaluar pezullimin e kartonëve. Shtatlarti do formojë treshen e prapavijës me Gurishtën dhe Bajramin.
Në mesfushë ka më shumë “enigma” pasi duhet shikuar gjendja fizike e disa futbollistëve. Por, momentalisht më të favorizuar për ta nisur si titullarë janë Krymi, Sala dhe Kallaku. Me këtë të fundi që do ketë një rol disi më të avancuar drejt sulmit. Nga krahët po ashtu nuk duket se do ketë ndryshime, me të zakonshmit Kastrati në të djathtë dhe Jago në të majtë. Majën e sulmit të 9 herë kampionëve të vendit do e udhëheqë Bekim Balaj. Me “makthin” e Tiranës që do ketë edhe mbështetjen e Esat Malës pas shpatullave të tija.
PANORAMASPORT.AL













