Rikthimi i Bismark, arma e Vllaznisë ndaj Partizanit. Sulmuesi bëhet gati për të kuqtë
Rikthimi i madh për Vllazninë në javën e 12-të kundër Partizanit do jetë Çarls Bismark. Sulmuesi i cili mungon që nga raundi i katërt i Superiores, ku kuqeblutë ndanin pikët në një barazim 1-1 kundër Teutës në Durrës.

Që nga ai moment kanë kaluar 2 muaj dhe ganezi nuk është parë më në fushën e lojës, kjo si pasojë e një dëmtimi. I cili fillimisht mendohej se do ishte i kalueshëm shumë lehtë, por që nuk rezultoi i tillë dhe shtatlarti nuk ka pasur mundësi të japë kontributin e tij në fushën e lojës. Megjithatë ai tashmë është kthyer dhe mund të marrë minutat e tij të para pas kalimit të lëndimit në ndeshjen e rradhës ndaj Partizanit.
E për ish-sulmuesin e CSKA Sofia, duket se duelet ndaj të kuqve mund të jenë fatsjellëse. Pasi në të vetmen ndeshje të këtij edicioni ku ai ka zbritur nga minuta e parë në të fundit në fushën e lojës, ka qenë pikërisht dueli i fazës së parë, Vllaznia-Partizani. Ku 24- vjeçari ishte protagonist absolut, duke shënuar gol, i cili është i pari dhe i vetmi deri më tani me fanellën kuqeblu. Por, gjithashtu afrikani në atë fitore 4-1 të shkodranëve ndaj kryeqytetasve arriti të fitonte edhe dy penallti. Të cilat u shndërruan të dyja në gol nga ana e Bekim Balajt, në këtë mënyrë Bismark tregoi vlerat e tij. Për të cilat u këmbëngul gjatë gjithë merkatos së verës për ta sjellë në Shkodër e ne gjirin e kuqebluve. E tashmë nga Partizani te Partizani sërish për sulmuesin, nga i cili pritet shumë në kampin shkodran. Dhe i cili patjetër është një “armë” plus për trajnerin Martini, në një pikë ku tashmë kampionati s’do ketë më pushim deri në fundin e vitit dhe kontributi i çdo futbollisti është më se i rëndësishëm.
GOLAT – Pavarësisht vështirësisë së ndeshjes së radhës kundër Partizanit, për Vllazninë ka vetëm një objektiv, fitore në kryeqytet dhe vijimi i shënimit të golave. Shkodranët pavarësisht se nuk kanë qenë aq të suksesshëm në ndeshjet si udhëtues, ku në 5 ndeshje të zhvilluara larg “Loro Boriçit” kanë grumbulluar vetëm 5 pikë, kanë arritur gjithsesi të shënojnë sistematikisht thuajse në gjitha takimet si udhëtuese. Kështu 9 herë kampionët e vendit kanë gjetur golin në barazimin 1-1 në Durrës kundër Teutës. Gjithashtu edhe në humbjen e fazës së parë ndaj Dinamos, kuqeblutë sërish kanë “shijuar” një gol në disfatën 3-1 ndaj bluve në Elbasan. E ndërsa të vetmen fitore aktualisht jashtë fushe, ndaj Bylisit në shifrat 0-1, 9 herë kampionët e vendit tonë i janë “falur” një autogoli. Që vijoi traditën e golave në ndeshjet e këtij edicioni për skuadrën e drejtuar nga Martini.
Po ashtu edhe në transfertën e fundit të kampionatit, atë kundër Egnatias në Rrogozhinë, Vllaznia shënoi dy herë në barazimin 2-2 ndaj kampionëve në fuqi të vendit. E vetmja sfidë e këtij kampionati, që rezulton të jetë një transfertë ku Vllaznia nuk ka gjetur golin në 11 raunde është ajo kundër Flamurtarit. Me kuqeblutë që u mposhtën në Vlorë me rezultatin 1-0 në javën e 9-të të edicionit. Kjo është edhe ndeshja e vetme këtë edicion ku shkodranët janë ndalur, duke mos shënuar qoftë edhe një gol në portën kundërshtare, pavarësisht rezultatit përfundimtar.
Por, pas sfidës me kuqezinjtë, në dy duelet e radhës ndaj rivalëve si Egnatia dhe Dinamo, kuqeblutë kanë shënuar 3 herë duke grumbulluar edhe 4 pikë. Kjo pas barazimit 2-2 në Rrogozhinë ndaj vendasve dhe fitores 1-0 ndaj Dinamos në Shkodër. E pikërisht nga ky ritëm i shënimit të golave dhe marrjes së rezultateve pozitive nuk duan të ndalen kuqeblutë. Të cilët kërkojnë të ruajnë kryesimin e kampionatit, duke qenë pretendentët kryesorë për fitimin e titullit dhe kjo arrihet me shënimin e golave dhe marrjen e fitoreve në çdo takim që skuadra zbret në fushën e lojës.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













