Prengaj në prag të sfidës me Partizanin: Dua t’u shënoj të dyja skuadrave të kryeqytetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2026 | 23:30

Prengaj në prag të sfidës me Partizanin: Dua t’u shënoj të dyja skuadrave të kryeqytetit

Vora pas eliminimit nga kupa, tani ka vetëm një alternativë atë të mbijetesës. Objektivi në Kupë u arrit, pavarësisht se nuk kaluan dot deri në çerekfinale. Skuadra vorake kaloi dy turet e para të Kupës së Shqipërisë dhe tashmë në këtë kompeticion ka mbaruar gjithçka, duke u eliminuar përfundimisht, nga gara me humbjen 2-0 në takimin kundër Teutës, ku Vora paraqiti një ndeshje të dobët. Kjo ka bërë që në kampion vorak, tashmë të luftohet vetëm në një drejtim, në atë të mbijetesës.

Screenshot 2026-01-14 232949

Kështu, vorakët do të kërkojnë të enjten në ndeshjen e javës së 19-të të Superiores, ta nisë mirë e bukur kundër Partizanit, në ndeshjen e parë zyrtare në shtëpi, pas rikonstruksionit të stadiumit. Mirëpo në këtë takim të parë të vitit në kampionat, Vora ka humbur dhe lojtarin, që erdhi si përforcim i sulmit, Reinaldo Torraj në ndeshjen e luajtur për kupë në Durrës.

Ai pësoi një dëmtim që do kohë të rikuperohet. Gjithsesi vorakët ngushëllohen me rikthimin në skuadër të Fatmir Prengajt, që pas dëmtimit për një kohë të gjatë, kur ishte pjesë e klubit të Tiranës, ai është rikthyer përsëri tek Vora duke veshur fanellën që e mbante gjatë periudhës kur Vora ishte në kategorinë e parë. Prengaj tregohet cinik në prezantimin me Vorën, pasi ai përveçse debuton, kërkon edhe t’i shënojë gol Partizanit. 24-vjeçari mamurzak që luan si sulmues i majtë, për “Panorama Sport” analizoi përballjen me të kuqtë.

Rikthimi te Vora, çdo të thotë për Prengën? Kalova një periudhë të gjatë dhe të vështirë dëmtimi, që më pezulloi nga të gjitha aktivitetet pothuajse, gati u bë një sezon, që nuk jam aktivizuar. Tashmë rikuperimi është i plotë dhe e nis aty ku e lashë dy sezone më parë, duke ardhur përsëri te Vora. Por një Vorë e një niveli më të lartë. Në Vorën e Superiores.

A besoni se skuadra e Vorës në momentin aktual që erdhët, do ta shmangë rënien nga kategoria? Sigurisht që jam akoma me atë besim pranë këtij klubi që kërkonim ngjitjen në Superiore dhe u bë realitet. Pra janë fakte që nuk të lënë të lëvizësh nga besueshmëria. Po mos të kisha këtë besim unë nuk do të rikthehesha sërish këtu. Vora ka drejtues të mirë, staf teknik të mrekullueshëm dhe kryen stërvitjet të përkryera. Kam 4 muaj që unë jam rikthyer te Vora, duke bërë stërvitje të diferencuar për shkak të dëmtimit që thamë më lart. Gjithashtu besimi se skuadra e Vorës do të mbijetojë rënies nga kategoria është edhe fakti se përbërja e grupit të lojtarëve është cilësore dhe kanë përvojën e duhur. Jam plotësisht i bindur se Vora do ta shpëtojë sezonin.

Jemi në prag dy ndeshjeve derbi të kryeqytetit, Vora ka përballë Partizanin dhe Tiranën tuaj. Sa të rëndësishme janë për Vorën këto dy takime? Janë dy ndeshje që luftohet për mbijetesën dhe kërkohet maksimumi i pikëve. Madje unë kërkoj, që të shënoj kundër të dyjave. E ndoshta golat e mi janë me vlera pikësh. Por për të dyja këto takime kërkohet një përgatitje maksimale, pasi të dyja këto skuadra nuk janë më si më parë. Ato janë përforcuar sidomos Tirana që do ta ketë ndeshjen kundër nesh “liri a vdekje”, jo vetëm se ka humbur dy takimet e para direkte, por edhe se pozicioni saj me diferencë pikësh do ta kërkojë këtë gjë. Fillimisht jemi duke menduar takimin e radhës kundër Partizanit. Këtu te Vora vazhdon sërish ideja e marrjes së ndeshjeve një e nga një dhe përqendrim maksimal tek ndeshja e radhës.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL