Pikantet e Vllaznia-Egnatia/ Batutat e tifozëve, shkodranët e kanë me kapitenin e rivalëve: Ku e keni Aleksin?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2026 | 17:18

Pikantet e Vllaznia-Egnatia/ Batutat e tifozëve, shkodranët e kanë me kapitenin e rivalëve: Ku e keni Aleksin?

Vllaznia nisi vitin 2026 në Superiore me një fitore të ngushtë, por shumë të rëndësishme, 1-0 ndaj Egnatias në javën e 19-të. Atmosfera në “Loro Boriçi” ishte e ngrohtë, me tifozët që e përcollën sfidën me entuziazëm, duke bërë që goli dhe aksionet e bukura të Vllaznisë të jenë momentet më të diskutueshme dhe pikante të ndeshjes.

Screenshot 2026-01-15 171745

-Pavarësisht rëndësisë së sfidës në stadium nuk janë më shumë se 2000 tifozë. Pritej një numër më i lartë të pranishmish në “Loro Boriçi”.

-Kapitenët e dy skuadrave janë shkodranë, Balaj te Vllaznia e Fangaj tek Egnatia. Fakt që duartrokitet nga të pranishmit në momentin e hedhjes së monedhës për ndarjen e fushës.

-“Ku e keni Aleksin?”, janë fjalët ironike të tifozëve shkodranë referuar mungesës së mesfushorit të Egnatias, si shkak i pezullimit ke kartonë.

-“Është i yti Gure (Gurishta)”, kështu i drejtohet trajneri Martini mbrojtësit. I cili fiton duelin me Selmanin dhe merr përgëzimet e numrit një të pankinës shkodrane.

-Entuziazëm mes tifozëve në rastin e Kallakut, ku edhe shprehen “kështu luhet”. Referuar aksionit shumë të bukur të golit të avantazhit shkodran.

-Tetova kërkon qetësi dhe vëmendje nga të tijët, teksa i ka “dy” fjalë me Buriç dhe Ruçin.

-Martini shpesh ka “polemika” me gjyqtarin e katërt Alla, për disa faulle të padhënë sipas trajnerit shkodran.

-“Topi, ndiqeni topin”, janë fjalët që përsërit shpesh portieri Pohls i Vllaznisë, që udhëzon shokët e tij nga prapavija. Aq shumë bërtet gjermani sa krijon edhe të qeshura në stadium.

-Duartrokitje të shumta për Malën në momentin që lë fushën për Kastratin.

-“Jep ndonjë karton se nuk i ke me lekë”, janë fjalët e shkodranëve drejtuar gjyqtarit Lata. I cili është shumë tolerant në fushën e lojës.

-Mbyllet me suksesin e Vllaznisë, që në këtë 2026 e ka nisur siç duhet, duke i dhënë një sinjal të qartë kampionatit. E ndërsa Egnatia vërteton vështirësitë në përballjet direkte me shkodranët këtë sezon.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL