Pesë ndeshje sa një sezon, bilanci flet për “Demat” e Partizanit
Partizani ka hyrë në fazën më vendimtare të sezonit, aty ku do të përcaktohet jo vetëm pozicioni final në renditje, por edhe suksesi apo dështimi i një kampionati që ka kaluar mes uljeve dhe ngritjeve për të kuqtë. Pesë ndeshjet e mbetura në Superiore do të jenë vendimtare për fatin e kryeqytetasve në garën për “Final Four”, me skuadrën që tashmë nuk ka më shumë hapësira për gabime pas serisë negative të javëve të fundit.

Kalendari rezervon përballje të ndryshme në nivel vështirësie, por ajo që bie në sy është se Partizani do të përballet me kundërshtarë ndaj të cilëve në pjesën më të madhe të sezonit ka pasur bilanc pozitiv. Sfida e parë për ekipin e Oltijon Kërnajës do të jetë ndaj Bylisit në “Arena e Demave”, një kundërshtar ndaj të cilit Partizani ka regjistruar maksimumin në këtë sezon me tre fitore në tre përballje dhe nëntë pikë të plota.
Statistikat tregojnë një dominim të qartë të të kuqve ndaj ballshiotëve, megjithatë përballja vjen në një moment ku kundërshtari lufton për mbijetesë dhe kjo e rrit ndjeshëm nivelin e vështirësisë së ndeshjes. Në letër mbetet sfida më e favorshme e kalendarit të mbetur për Partizanin. Më pas vjen derbi ndaj Tiranës në “Air Albania”, një ndeshje që tradicionalisht ka peshë specifike më të madhe se tri pikët. Edhe në këtë sezon Partizani ka bilanc pozitiv ndaj rivalëve të qytetit me dy fitore dhe një humbje në tre përballje, duke grumbulluar gjashtë pikë. Megjithatë, derbi mbetet gjithmonë një ndeshje më vete, ku statistikat shpesh humbin vlerë dhe aspekti emocional merr rol vendimtar. Për më tepër, Tirana gjithashtu ka objektivat e saj dhe do të luftojë fort.

Takimi i tretë është ai ndaj Flamurtarit në shtëpi, një tjetër përballje ku Partizani ka qenë perfekt deri më tani. Tre fitore në tre ndeshje dhe nëntë pikë të plota ndaj vlonjatëve tregojnë qartë se të kuqtë kanë ditur ta menaxhojnë mirë këtë kundërshtar gjatë sezonit. Edhe kjo ndeshje, të paktën në bazë të precedentëve, konsiderohet si një mundësi e mirë për të marrë pikë të plota, por vetëm nëse Partizani arrin të rikthejë stabilitetin në lojë dhe rezultat. Kalendari vështirësohet ndjeshëm në javën e parafundit, kur kryeqytetasit udhëtojnë drejt “Arena Egnatia” për t’u përballur me një nga skuadrat më konstante të sezonit.
Bilanci ndaj Egnatias është i ekuilibruar: një fitore, një barazim dhe një humbje, për katër pikë totale në tre takime. Kjo statistikë tregon se diferencat mes skuadrave kanë qenë minimale dhe se edhe përballja e ardhshme pritet të jetë një duel i hapur, ku detajet mund të bëjnë diferencën. Sezoni mbyllet me një tjetër sfidë direkte, ndoshta më vendimtaren, ndaj Dinamos në “Arena e Demave”. Bilanci ndaj bluve nuk është pozitiv për Partizanin, që ka marrë vetëm një fitore dhe ka pësuar dy humbje në tre përballje, duke grumbulluar vetëm tri pikë.
Duke qenë se Dinamo është rivali direkt për vendin e katërt, kjo ndeshje ka potencialin të kthehet në një “finale” për fatin e sezonit të të kuqve. Në total, Partizani ka marrë 31 pikë nga 45 të mundshme ndaj këtyre pesë kundërshtarëve në përballjet e deritanishme sezonale, një statistikë që në teori flet për një kalendar të menaxhueshëm. Megjithatë, forma aktuale e skuadrës dhe presioni i momentit e bëjnë çdo ndeshje shumë më komplekse nga sa tregojnë numrat.

Nëse të kuqtë arrijnë të rikthejnë nivelin që shfaqën në fazën e tretë të kampionatit, kalendari ofron mundësi reale për të ruajtur vendin në katërshen e parë. Në të kundërt, çdo tjetër hap fals mund t’i kushtojë rëndë një skuadre që tashmë ka konsumuar pothuajse të gjithë kredinë e saj për gabime. Pesë javët e fundit do të jenë kështu testi përfundimtar i Partizanit, jo vetëm për objektivin e “Final Four”, por edhe për të matur karakterin dhe pjekurinë e një skuadre që kërkon të mbyllë sezonin brenda objektivave.
EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL













