Partizanit nuk i falen hapat fals, si pritet të rreshtohen të kuqtë në duelin me Vorën
Partizani zbret në fushë ditën e sotme në orën 13:30 teksa luan në transfertë përballë Vorës, duke i dhënë kështu start fazës së tretë si dhe gjysmës së dytë të Abissnet Superiore.
“Demat e Kuq” do të kërkojnë ta nisin mbarë kampionatin ndryshe nga sa e mbyllën atë pasi kujtojmë se kryeqytetasit kanë pësuar dy disfata radhazi në dy ndeshjet e fundit të kampionatit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Oltijon Kërnaja do t’i duhet t’i rezistojë edhe motivimit e euforisë së kundërshtarit që në këtë sfidë do të inaugurojë edhe stadiumin e rikonstrukturuar e që për herë të parë në këtë sezon pas një shtegtimi të gjatë, do të mund të ndjejë ngrohtësinë e tifozerisë.
Megjithatë, nga ana tjetër te Partizani nuk ka vend për hapa fals duke qenë se shanset për të mbërritur në zonën e “Final Four” janë të ulëta dhe për t’i maksimalizuar ato, do të duhet që në sfida të tilla të mos gabohet. Aktualisht, skuadra kryeqytetase renditet në vendin e gjashtë të klasifikimit me 23 pikë, shtatë pikë më larg se Vllaznia.
PANORAMASPORT.AL













