“Nuk e meritonim humbjen me Vllazninë”, Maçolli kërkon reagim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2026 | 21:17

“Nuk e meritonim humbjen me Vllazninë”, Maçolli kërkon reagim

Pas humbjes së fundit ndaj Vllaznisë, Teuta është në kërkim të një reagimi të menjëhershëm në kampionat. Durrsakët besojnë se rezultati i asaj sfide nuk pasqyroi atë që u pa në fushë, ndërsa tashmë fokusi është zhvendosur te përballja e radhës ndaj Elbasanit në Durrës.

MACOLLI

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori Xhoele Maçolli flet për zhgënjimin e ndeshjes së kaluar, analizën e skuadrës dhe pritshmëritë për sfidën e ardhshme.

Xhoele, si e përjetuat humbjen ndaj Vllaznisë?

Ishte një humbje që na dhemb, sidomos për mënyrën si shkoi ndeshja. Sinqerisht, mendoj se nuk e meritonim humbjen ndaj Vllaznisë, pasi në shumë momente ishim më të mirë dhe krijuam raste. Por futbolli kështu është nëse nuk shënon dhe bën disa gabime, ndëshkohesh.

Çfarë mendoni se nuk funksionoi si duhet në atë ndeshje? 

Besoj se na mungoi konkretizimi para portës. Krijuam raste, por nuk i shfrytëzuam si duhet. Gjithashtu, patëm disa momente shpërqendrimi që na kushtuan.

Si është atmosfera në skuadër pas kësaj humbjeje?

Është normale të ketë zhgënjim, por skuadra është e bashkuar. Kemi reflektuar dhe jemi të fokusuar për të reaguar menjëherë.

Tashmë përballë keni Elbasanin në Durrës. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Presim një ndeshje të fortë. Elbasani është një ekip që duhet marrë seriozisht, por ne luajmë në shtëpi dhe synimi ynë është vetëm fitorja. Duam të rikthehemi te rezultatet pozitive.

Çfarë duhet të bëjë ndryshe Teuta për të marrë tre pikët?

Duhet të jemi më të saktë para portës dhe të ruajmë përqendrimin gjatë gjithë ndeshjes. Nëse japim maksimumin si skuadër, besoj se do të arrijmë rezultatin që duam.

Një mesazh për tifozët?

I falënderojmë për mbështetjen dhe i ftojmë të jenë pranë nesh edhe në ndeshjen e radhës. Do të luftojmë për t’i bërë krenarë.

Z. QYPI – PANORAMASPORT.AL