Një nga lojtarët kryesorë të Vorës, Dalipi: E nisim me fitore kundër Partizanit, stadiumi bonus për ne
Vora ka përfunduar përgatitjet e saj për startin e ri, ku do të ndeshet sot me Partizanin në kuadër të javës së 19-të, duke u rikthyer në sfidat e superligës pas 27 ditësh, ku emocionet dhe vështirësitë, do të shuhen, pasi ajo do ta rinis sezonin në impiantin e saj.
Pasi ka luajtur 18 ndeshjet e para jashtë shtëpisë së saj, tashmë gjatë fazës së tretë, parashikohen të luhen 8 ndeshjet e para në këtë impiant. Triumfi vorakëve është një detyrim më shumë për investimin, por edhe për tifozerinë që të dyja bashkë bëjnë që skuadra vorake të ndjehet komode në këtë start. Kevin Dalipi është një nga pikat kryesore të Vorës para mbrojtjes, madje ai ka qenë dhe lojtari i përzgjedhur edhe nga FSHF-ja si lojtari i formacionit më të mirë të superligës për javën e 14-të, pasi në ndeshjen kundër Vllaznisë bëri një paraqitje shumë të mirë, ku përkushtimi dhe kontributi në lojë e kanë bërë të spikasë mes më të mirëve të javës.
Ai lidhur me takimin kundër Partizanit për gazetën “Panorama Sport” u shpreh: “Ky takim i parë në shtëpinë tonë, ka vlera të shumëfishta për ta nisur me fitore, së pari luajmë në shtëpinë tonë ku do të jetë e para në kampionat. Së dyti duhet të kënaqim tifozët tanë dhe së treti që është dhe më e rëndësishmja na duhen pikët për t’u qetësuar sa më shumë nga rreziku për të rënë nga kategoria. Stadiumi për ne do të jetë një bonus, por bonus i dyfishtë, do të jetë edhe prezenca e tifozerisë. Me këto bonuse Vora do të mbijetojë dhe në tre ndeshjet e para, kërkojmë të paktën të marrim katër pikë. Unë do të vazhdoj misionin tim të përkushtimit dhe dhënies së të gjithë mundësive për ekipin e Vorës. Është një ndeshje vendimtare që kërkon më shumë qetësi dhe më pak emocion, duke lënë mënjanë ardhjen time nga Anglia, fillimisht tek Partizani dhe më pas dy sezone me Vorën. Jam plotësisht i bindur se Vora, do ja dalë me fitore”.
STADIUMI HAP DYERT, POR NUK KA CEREMONI Stadiumi i Vorës do të hapë dyert sot në ndeshjen kundër Partizanit, pas 8 muajsh. Por, nuk do të ketë ndonjë ceremoni inauguruese sepse punimet do të vazhdojnë edhe pas kësaj ndeshje, të cilat janë në një masë të vogël. Që në muajin prill kur u mbyll sezoni i kaluar, stadiumi iu nënshtrua ristrukturimit të tribunës Qendrore, duke u rikthyer tashmë në një impiant modern për ndeshjet e mbetura të kampionatit. Stadiumi Vorës është i çertifikuar si një impiant i kategorisë së dytë, duke përmbushur standartet e UEFAs dhe është i gatshëm të presë edhe ndeshjet ndërkombëtare. Ky investim i Bashkisë Vorë në bashkëpunim me FSHF-në dhe aksionerët e klubit, garanton kushte bashkëkohore dhe standarte të niveleve europiane me të gjitha asetet e brendshme duke nisur nga dhomat e zhveshjes, ambientet për stafet teknike, holli kryesor si dhe dhomat e mediave të ndryshme, tribunat VIP dhe të tifozëve të gjitha të mbuluara. Ky kontribut i jashtëzakonshëm pritet që të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen dhe zhvillimin e futbollit për këtë klub.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













