Moviola e duelit në Shkodër/ Egnatias iu mohua një penallti, goli duhej anuluar (VIDEO)
Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, rrallëherë flet kundër gjyqtarëve në deklaratat pas ndeshjeve. Pas sfidës së djeshme kundër Vllaznisë, të humbur me shifrat 1-0, tekniku i rrogozhinasve foli dukshëm i acaruar me gjykimin e kryesorit Florian Lata.
“Sa i përket lojës, mendoj se është penallti në pjesën e parë. Te rasti i Ruçit, nuk ka informacion për topin dhe çuditërisht nuk ka penallti. Dhe rasti i golit, nuk shihet në VAR. Nuk po them shumë larg trajektores, por është larg. Çuditërisht anulohet. Nuk e di pse janë këto situata ndaj nesh. Fundi është Vllaznia, Egnatia, duam të luajmë futboll. Si meriton Vllaznia, duam edhe ne situatat tona”, ishin fjalët e Tetovës pas sfidës.
Në gjykim ishin Florjan Lata, Erind Burgu, Marjus Qose, VAR, Emanuela Rusta dhe AVAR, Kreshnik Cjapi. Episode dhe një deklaratë e cila duket se po ndez që në startin e pjesës së dytë të kampionatit, ku çdo pikë bëhet thelbësore me formulën e re. Rasti i parë që i referohet Tetova është ai i pjesës së parë(minuta e 38-të) ku pas një dyluftimi në zonën shkodrane, Çelikoviç rrëzohet dhe pastaj godet Ruçin ndaj të cilit po shkonte topi. Një episod për të cilin Tetova kishte edhe një diskutim me kryesorin Lata i cili shkoi t’ia shpjegonte pranë pankinës. Vendimi është i gabuar. Qartë duket se Çelikoviç ka penguar lojtarin e Egnatias. Penallti e pastër dhe kanë gabuar gjyqtarët.
Në minutën e 38-të, Gurishta ndal topin me dorë, rrogozhinasit kërkojnë të verdhë që nuk jepet nga kryesori Lata. Në fakt, prekja e topit me dorë është e dukshme dhe mbrojtësi i Vllaznisë, duhet të ishte ndëshkuar me të verdhë. Gabim i gjyqtarit Lata. Kartoni i padhënë ka ndikuar në lojë, sepse Gurishta u ndëshkua me një tjetër të verdhë në pjesën e dytë, çka do të thotë i kuq. . (VIDEO)
Sa i përket rastit të dytë(të pretenduar nga Tetova), është ai i golit të shënuar nga Buriç në minutën e 58-të, që u anulua nga kryesori i ndeshjes. Në momentin e gjuajtjes së sulmuesit, Albaneze ishte dukshëm në pozicion jashtë loje para portierit, por sipas Tetovës, nuk ishte ndikuar në mënyrë direkte te trajektorja e topit dhe fushëpamja e portierit. Në këtë rast, vendim i drejtë i gjyqtarëve. Pozicion jashtë loje dhe Albaneze ndikon në rrezen e portierit të Vllaznisë. (VIDEO)
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













