Ish-futbollisti Dalipi i pakënaqur me merkaton e Elbasanit: Ekipi aktual, jo në rangun e pretendentëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2025 | 19:41

Ish-futbollisti Dalipi i pakënaqur me merkaton e Elbasanit: Ekipi aktual, jo në rangun e pretendentëve

Ish-futbollisti dhe drej tuesi i njohur i El basanit, Sabri Dalipi, flet në një prononcim për “Panorama Sport” rreth situatës në ekipin e Elbasanit, nga faza përgatitore dhe deri tek merkatoja me garën në kampionat këtë sezon. Së pari, Dalipi nuk ngurron të theksojë se pikërisht puna që po bëhet në këtë periudhë është vendimtare për rrjedhën e kampionatit. Ai e sheh fazën përgatitore si themelin mbi të cilin do të ndërtohet një ekip solid.

sabri dalipi

“Shoh si shumë të rëndësishme fazën përgatitore që do të bëjë skuadra. E mendoj pikërisht si çelësin që mund t’i japë suksesin ekipit dhe që lojtarët duhet të djersitin shumë gjatë kësaj periudhe”, thekson Dalipi. Sipas tij, përqendrimi në këtë fazë është kyç dhe kjo është periudha ku stafi teknik duhet të kërkojë maksimumin nga çdo futbollist për të ndërtuar një skuadër që nuk dorëzohet lehtë.

MERKATO – Një tjetër temë ku Dalipi ndalet për të bërë analizën e tij është pikërisht merkatoja dhe “kleçkat” e saj ku shpesh mund të biesh në “kurth”. Ai bën thirrje për kujdes të veçantë me përzgjedhjen e lojtarëve, sidomos të huajve që vijnë nga kampionate të tjera.

“Duhet të tregohet kujdes edhe me afrimet, sidomos këtyre që vijnë nga jashtë. Historia ka treguar se nuk janë gjithnjë brenda pritshmërive. Më shumë, unë i druhem anës fizike të tyre, sepse e kaluara ka treguar se vijnë edhe me probleme dhe ai që i vuan në fund në kurriz është vetë klubi”, vijoi më tej Sabri Dalipi. Për të, emrat nuk mjaftojnë. Ajo që ka rëndësi është forma fizike dhe gatishmëria për të ndihmuar skuadrën që nga ndeshjet e para, duke i dhënë menjëherë vlerë grupit.

NDËRHYRJET – Në analizën e tij, Dalipi është i drejtpërdrejtë: Elbasani, në gjendjen aktuale, nuk mund të renditet mes pretendenteve, por me afrimet e duhura, situata mund të ndryshojë. “Me ekipin aktual nuk mund t’i fus në rangun e pretendentëve, por me afrimet që do të bëjnë i shoh konkurrues. Portierin e morën, tani besoj se u duhet nga një lojtar për çdo rol të fushës. Praktikisht, të afrojnë futbollistët për të plotësuar ata që u larguan, por me ndryshimin që të vijnë dhe bëjnë diferencën”, thekson Dalipi.

Ai nënvizon nevojën për të mos bërë vetëm zëvendësime numerike, por të sjellin elementë që sjellin cilësi dhe personalitet, në mënyrë që Elbasani të ketë peshë në elitën shqiptare. “Zëvendësimet nuk duhen vetëm për numër, të jemi të qartë. Duhen lojtarë me personalitet që të mbajnë mbi supe edhe presionin në momente të caktuara”, pohoi Dalipi.

GARA – Duke parë si po formësohet Superliga për sezonin e ri, Dalipi është i qartë se gara do të jetë tepër e fortë. Ka ekipe që kanë ruajtur boshtin dhe kanë ndërtuar një vazhdimësi të rëndësishme, por ai nuk e përjashton Elbasanin nga objektivat e lartë. Gjithsesi, sipas tij, fati i sezonit nuk vendoset në letër dhe gjithçka do të varet nga mënyra se si skuadra do të menaxhojë merkaton dhe si do të paraqitet në javët e para të kampionatit.

“Garën e shoh normalisht shumë të fortë, ka ekipe që po ruajnë boshtin dhe janë konsoliduar. Ato janë favoritet e para dhe më pas ekipet e tjera që bëjnë investime të zgjuara në merkato. Por Elbasani mendoj se do të jetë në garë për katërshe”, përfundoi Sabri Dalipi prononcimin e tij për gazetën.

PANORAMASPORT.AL