EKSKLUZIVE/ Zbulohen risitë te Partizani! Ndryshim i detyruar për “Arenën e Demave”, investim shumë herë më i shtrenjtë
Punimet për fushën e stadiumit “Arena e Demave nisën të enjten, pikërisht më 28 maj. “Panorama Sport” do iu sjellë detaje ekskluzive për projektin që do ndryshojë tërësisht Kompleksin Partizani.

NDRYSHIMI- Dhe pse ishte planifikuar fillimisht për të shtruar bar natyral, tashmë bëhet fjalë për bar hibrid. Investimi në fjalë kushton 10-fish më shtrenjtë. Nëse flitet me shifra, bëhet fjalë për rreth 500 mijë euro që do të shpenzohen. Ky investim nga Partizani me mbështetjen e FSHF është vendosur tashmë në jetë. Parashikohet që stadiumi “Arena e Demave” të jetë gati në shtator për ndeshje.
DETYRIMI- Partizani ishte i detyruar për këtë ndryshim në projekt, që i kushton shumë herë më shumë. Drenazhimi është po ashtu për sistem hibrid. Në rast se Partizani do zbatonte projektin për bar natyral, atëherë do i duhej një periudhë shumë më e gjatë për t’u kthyer në fushën e saj. Dhe kjo do e penalizonte për fillimin e sezonit të ri.
AVANTAZHI- Sistemi hibrid preferohet nga klubet më të rëndësishme në Europë. Ndryshe nga fusha me bar natyral, jep mundësinë edhe për dy seanca stërvitore në javë. Mirëmbajtja po ashtu rezulton me proces më të lehtë. Fusha me bar hibrid është kombinim i natyralit dhe artificialit ku duhet theksuar se mbizotëron natyrali. Gjithçka do të jetë gati për Europianin e 21-vjeçarëve ku “Arena e Demave” është përzgjedhur për të pritur ndeshje.
PROJEKTI- “Panorama Sport” mëson ndërkohë se në muajin qershor do të fillojë puna për një nga fushat stërvitore. Pikërisht ajo me bar artificial, që do të jetë pranë tribunës VIP. Do të shërbejë për ndeshjet e ekipeve të moshave në të ardhmen dhe po ashtu stërvitjet. Fusha me bar natyral ndërkohë do të nisë më vonë dhe do të ndërtohet pranë hotelit. Një detaj tjetër është se prishja e godinave do të nisë në qershor. Aty ku zbulojmë se do të vendoset në dispozicion një kalçeto. Kryesisht do të shërbejë për fëmijët e vegjël.
RISIA- Me infrastrukturën e jashtme, do nisë puna edhe për pishinën rehabilituese të futbollistëve dhe zonën e SPA. Klubi synon që ta kthejë Kompleksin Partizani në një prej projekteve më moderne në rajon. Dhe ky rezulton projekti që në përfundim do të ishte unik për Shqipërinë.
EKIPI I PARË- Në fundin e muajit qershor, Partizani do rikthehet me përgatitjet për sezonin e ri. Të kuqtë do të largohen jashtë Tiranës për periudhën në fjalë, duke synuar një fazë përgatitore sa më cilësore.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













