EKSKLUZIVE/ Tronditi Dinamon në garën për titull, Partizani firmos me sulmuesin
Partizani ka aktivizuar opsionin e rinovimit të kontratës për Albers Kekon. “Panorama Sport” mëson se sulmuesi i shtohet listës që klubi i kuq i beson për të ardhmen. Tashmë kontrata e tij vlen deri në qershorin e vitit 2027.

Keko u kthye te Partizani në fundin e sezonit, pasi ishte i dëmtuar rëndë që nga ndeshja e korrikut me Kaljun në Europë. Sfida e parë që luajti si titullar ishte në javën e fundit ndaj Dinamos dhe Keko befasoi dinamovitët. Dy golat e tij tronditën ekipin e Ilir Dajës në garën për titull, pasi pësoi humbje me rezultatin 2-1.
Keko dha sinjale pozitive po ashtu në sfidën e fundit të sezonit, që ishte miqësore. Kështu ia doli të shënojë sërish dy gola, ndërsa të kuqtë mposhtën 1 me 3 Vorën në stadiumin e tyre.
Partizani bleu kartonin e Kekos nga Korabi në vitin 2023. 24-vjeçari synon të rikthehet edhe njëherë në formën më të mirë.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













