EKSKLUZIVE/ “Te Tirana nuk më aktivizonin”, sulmuesi shpërthen pas largimit nga bardheblutë: Statistikat i kisha të mira, por qëndroja në stol (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2025 | 22:26

EKSKLUZIVE/ “Te Tirana nuk më aktivizonin”, sulmuesi shpërthen pas largimit nga bardheblutë: Statistikat i kisha të mira, por qëndroja në stol (E PLOTË)

Admir Bajroviç ishte nga ata që kërkoi me ngulm largimin prej Tiranës, ndonëse kishte kontratë. Pak ditë më parë, “Panorama Sport” njoftoi se palët kishin arritur marrëveshjen për të ndarë rrugët. Sulmuesi kërkoi të gjitha rrogat deri në maj, u përshëndet me stafin teknik dhe punonjësit në “Skënder Halili”, duke u larguar nga kryeqyteti shqiptar.

Screenshot 2025-07-04 084557

Boshnjako-suedezi largimin e njoftoi përmes një postimi në “InstaStory”. Me një mbishkrim në anglisht ai shkruan: “Ishte një kënaqësi”. Më pas, ishte klubi Tirana që konfirmoi ndarjen mes palëve. I ardhur nga Greqia, boshnjako-suedezi ishte “salduar” në stolin e rezervave. Futbollisti këtë sezon është aktivizuar vetëm 17 takime, duke shënuar 4 gola në 574 minuta. Lojtari ka moshë të madhe, është 29 vjeç dhe nuk ishte në planet e Tiranës.

Edhe në janar u diskutua largimi i tij, por palët nuk gjetën gjuhën e përbashkët për të ndarë rrugët. Gjithsesi, marrëveshja u gjend në qershor. Vetë lojtari në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport” deklaroi se shkaku i largimit ishin hapësirat e pakëta që pati prej trajnerëve bardheblu. “Nuk luajta aq sa doja dhe më pas pata një ofertë nga Liga e Parë e Qipros dhe nuk mund ta humbisja mundësinë për të ardhur këtu. Kjo sepse konkurrenca në Ligën e Parë të Qipros është shumë e mirë”, tha në fillim Bajroviç.

Më pas, boshnjaku me pasaportë suedeze pranoi se nuk e kuptoi asnjëherë pse nuk iu dha hapësira e duhur për të qenë në fushë, ndonëse kishte statistika shumë të mira. “Mendoj se duhet të kisha më shumë hapësirë. Nëse shikoni statistikat e mia te Tirana, ishin të mira. Katër gola dhe 1 asist dhe mezi luaja, por kjo është pjesë e futbollit. Ndonjëherë luan dhe ndonjëherë jo. Gjithmonë isha gati të jepja gjithçka për Tiranën, në çdo moment”, vazhdoi më tej ai.

Duke mos dashur të flasë më shumë për të kaluarën e tij me bardheblutë, sulmuesi deklaroi se qyteti i Tiranës i ka bërë përshtypje. “Qyteti i Tiranës ishte i mrekullueshëm për mua dhe familjen time. Fëmijët e mi e shijuan shumë dhe takova njerëz të mrekullueshëm gjatë kohës që kalova atje. Gjithashtu, tifozët gjithmonë e bënin atmosferën të mrekullueshme”, mbylli ish-lojtari i Tiranës.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL