EKSKLUZIVE/ “Për Kombëtaren ia lë kohës”, portieri i Dinamos flet për objektivat: Nuk i trembemi askujt, sezoni më i mirë
Dinamo ka pasur këtë sezon oshilacione të shumta në kampionat, megjithatë një nga lojtarët më stabël dhe që ka bërë paraqitje të mira me blutë, është portieri Aldo Teqja. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, portieri e konsideron këtë vit si më të suksesshmin në karrierën e tij ndërkohë që foli edhe për objektivin e Dinamos.
Janë luajtur dy fazat e para të kampionatit. Si e vlerësoni ecurinë e Dinamos deri në këtë moment të sezonit?
Në dy fazat e para të kampionatit gjërat kanë shkuar përgjithësisht mirë dhe skuadra ka pasur një ecuri pozitive. Duke i parë ndeshjet me qetësi dhe duke bërë analiza ndeshje pas ndeshjeje, ka pasur disa momente ku mund të kishim bërë edhe më mirë, si në lojë ashtu edhe në menaxhimin e rezultateve. Megjithatë, kampionati është ende i gjatë, ka shumë ndeshje për t’u luajtur dhe besoj se kemi kohë të mjaftueshme për të përmirësuar atë që na ka munguar deri tani.
A jeni të kënaqur me rezultatet e arritura dhe me mënyrën se si skuadra është shfaqur në fushë?
Siç e kam përmendur edhe më parë, në disa takime kemi pasur mundësi reale për të marrë më shumë, por jo gjithmonë futbolli të jep atë që meriton. Pavarësisht kësaj, jam i kënaqur me përpjekjen dhe angazhimin e skuadrës, sepse të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin në fushë dhe kanë luftuar për çdo top dhe për fanellën e Dinamos.
Këtë sezon jeni shfaqur si një nga protagonistët e skuadrës, me disa pritje vendimtare. Sa i kënaqur jeni me paraqitjet tuaja personale?
Jam shumë i kënaqur që kam mundur t’i vij në ndihmë ekipit në momente të rëndësishme dhe vendimtare të ndeshjeve. Çdo pritje ka ardhur si rezultat i punës së përditshme, përkushtimit dhe besimit që më ka dhënë stafi teknik dhe shokët e ekipit. Sigurisht, përpiqem gjithmonë të jap maksimumin tim dhe të jem sa më i përqendruar në çdo ndeshje.
A mund të thuhet se ky është sezoni më i mirë i karrierës suaj deri në këtë moment?
Pa diskutim, performanca ime me Dinamon ka bërë që ky sezon të konsiderohet një nga më të mirët e karrierës sime. Ndihem mirë nga ana fizike dhe psikologjike, dhe kjo reflektohet edhe në sigurinë që përpiqem t’i transmetoj skuadrës gjatë ndeshjeve. Kjo vazhdimësi më ka ndihmuar të jem më i qetë dhe më i vendosur në lojën time.
Duke qenë se stërviteni çdo ditë me trajnerin e portierëve të Kombëtares, a ka pasur ndonjëherë biseda për një grumbullim të mundshëm me kuqezinjtë?
Jam shumë i kënaqur dhe i privilegjuar që punoj çdo ditë me një nga trajnerët më të mirë të portierëve në Shqipëri, i cili njëkohësisht është edhe pjesë e stafit të Kombëtares. Sa i përket çështjes së grumbullimit, këto janë diskutime që i përkasin stafit të Kombëtares dhe trajnerëve. Sigurisht që do të ishte një krenari dhe kënaqësi e madhe për mua të isha pjesë e Kombëtares, por mendoj se gjithçka vjen në kohën e vet dhe duhet t’ia lëmë kohës.
Çfarë ka ndryshe Dinamo e këtij sezoni krahasuar me atë të kaluar, që ju bën të besoni te titulli kampion?
Mendoj se këtë sezon Dinamo ka më shumë eksperiencë dhe më shumë pjekuri brenda grupit. Kemi mësuar nga gabimet e sezonit të kaluar dhe kjo na ka ndihmuar të jemi më të përgatitur për situata të ndryshme gjatë kampionatit. Kjo eksperiencë na ndihmon të menaxhojmë më mirë ndeshjet dhe momentet vendimtare.
Nëse titulli nuk arrihet, a do ta konsideronit këtë sezon të dështuar për Dinamon?
Jo, nuk do ta konsideroja sezon të dështuar, sepse futbolli është i paparashikueshëm dhe gjatë një sezoni të gjatë ka shumë faktorë që ndikojnë. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se nuk kemi ambicie, sepse do të japim maksimumin deri në fund të kampionatit për të arritur objektivin tonë.
Cilat skuadra i shihni si rivalët kryesorë në garën për titull këtë sezon?
Ky kampionat ka disa skuadra me potencial dhe cilësi, por ne jemi të fokusuar te vetja jonë dhe te puna jonë e përditshme. Nuk i trembemi ekipeve të tjera dhe besoj se fusha do ta tregojë më së miri se kush e meriton titullin në fund të sezonit.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













