EKSKLUZIVE/ “Largimet nuk ishin rastësi”, Gega zbulon Partizanin e ri me guxim dhe besim: Si në 2018-n (E PLOTË)
Skënder Gega u afrua në fundin e marsit te Partizani, për të rikthyer shpresën. Me të kuqtë ka filluar një projekt i ri, për të cilin “Panorama Sport” ka siguruar një intervistë ekskluzive me trajnerin e kryeqytetasve.

Nga largimet tek afrimet dhe sezoni i ri, Gega lë shpresën për të ardhmen që premton. Shembull është pikërisht Partizani i sezonit 2018-‘19 ku u fitua titulli kampion, pavarësisht skepticizmit që mbizotëronte në fillim.
Ndryshimet rrënjësore me Dinamon në “Final Four”, rastësi apo fillimi i projektit të ri?
Ndeshja e fundit me Dinamon në “Final Four” nuk ishte rastësi, ishte projekt i nisur pak ditë përpara. Prej shumë kohësh kishim afruar lojtarë nga akademia, që kanë spikatur me moshat dhe që kanë bërë mirë në ekipin kombëtar. U mendua që gradualisht pasi të marrim njëfarë garancie dhe të kalojnë njëfarë testi, ta kishim më të lehtë dhe të ishim më të qartë për të marrë vendim edhe për lojtarët që do largoheshin.
Nga pamja e jashtme duket e thjeshtë, por për mua ishte e planifikuar sepse kishim kohë që i kishim afruar në stërvitje. Thjesht për t’i mbajtur larg presionit në ndeshjet vendimtare siç ishin me Egnatian në Kupë dhe “Final Four”. Kisha besim po nuk doja t’i rëndoja nga ana e ngarkesës emocionale dhe përgjegjësisë. Me Dinamon ishte ndeshja më e përshtatshme për të parë edhe njëherë përpara se të merrej vendimi për pjesën tjetër, që kush mund të largohej, të isha më shumë i bindur. Prandaj u aktivizuan. Jam i bindur që kanë bërë mirë, patjetër që rrugë e gjatë, por na kanë dhënë optimizëm për projektin e ri.
Janë shtatë largime nga ekipi që mbylli sezonin. Sa është rrezikuar dhe sa e vështirë është për ju si trajner?
Siç e thashë edhe më parë, ka qenë edhe planifikim gjatë gjithë kësaj kohës para se të mbaronte “Final Four”, që një pjesë e skuadrës duhet të largohej pas përfundimit. Pa vendosur në dyshim dëshirën dhe kontributin, patjetër që çdo njeri që ka ardhur në janar apo qoftë më përpara, ka pasur kontributin e tij. Dhe jam mirënjohës dhe falenderues për atë që kanë bërë. Klubi ka politikat e tij, edhe me moshat. Mbaj mend në sezonin 2018-‘19, kemi pasur 4-5 lojtarë që kanë qenë 19 apo 20 vjeç. Atëherë kanë qenë Mala, Asani, Bardhi, Kote, Çinari dhe Hebaj. Kishte skeptikë për ta, por ja që luajtën mirë, u rritën shumë shpejt dhe u bëmë kampion.
Të njëjtën gjë po mundohemi ta bëjmë përsëri, prandaj kemi shkuar në fazë përgatitore pa shtatë lojtarë. Pjesa më e madhe e tyre ka ardhur në janar pas largimeve të tjera. Nuk dua ty te pjesa e gjërave që nuk më takojnë në klub, por është investuar dhe ndoshta kanë qenë më të paguarit e Superiores. Pra kanë pasur të gjithë mbështetjen financiare. Kur ballafaqon investimin që është bërë dhe kontributin, ka diferencë të madhe. Përveç stadiumit dhe hotelit modern, presidenti Demi nuk është kursyer për trajnerët, por ka qenë shtysë dhe përkrahje për afrimet e lojtarëve. Dhe gjithmonë u ka dhënë besim te vendimmarrja teknike njerëzve që punojnë, por jo në çdo rast shkojnë në paralel. Dhe në politikat e klubit, por dhe unë si trajner, besojmë shumë te moshat e reja.
Kam qenë trajner i ekipit kombëtar dhe e di çfarë vlere ka. Klubi ka investuar, është super akademi. E bëj me dëshirë dhe besim, pa pasur këtë besim është e pamundur që të largosh dikë. Nuk është e lehtë, nuk është kënaqësi të largosh dikë. Gjithmonë vjen një moment që të divorcohesh, patjetër që ngarkesa, jo çdo lojtar është i lumtur të largohet, jo çdo lojtar për trajnerin është më i miri, por përderisa ke marrë ti përgjegjësi, do vendosësh me kujdes. Asgjë personale.
Çdo gjë duhet ta bësh në të mirë të klubit dhe të ekipit. Kështu ata që kanë ikur, është mosrespekt të mos thuash që kanë pasur kontributin e tyre. Kështu është futbolli, vjen një moment. Kanë ardhur edhe katër prurje që mund t’i zëvendësojnë. Janë cilësorë dhe po bëjnë shumë mirë, kanë sjell impakt të mirë tek ekipi dhe kështu funksionon. Megjithatë, nuk kemi mbaruar. Sa kemi filluar, kemi dalë nga faza përgatitore. Ndeshja është shumë shpejt. Jam munduar që t’i bashkoj të gjithë dhe të kem një filozofi loje sepse elementë të rinj si Skuka, Isgandarli, Garsia dhe Martinez janë lojtarë që do kontribuojnë dhe besoj do rritemi nga ana cilësore.
Katër afrime, çfarë ndryshimi kanë sjellë në grup?
Përveç këtyre ne kemi propozuar dhe klubi ka qenë në kontakt vazhdimisht me shumë lojtarë. Kur është koha e merkatos, shumë emra dalin apo vetofrohen. Secili ka interesat e veta. Lojtarët në përgjithësi presin, japin fjalën ose nuk janë të vendosur deri në momentet e fundit sepse shohin ofertat dhe interesat e tyre financiare. Nuk kanë qenë vetëm këto të katërt, por ato kanë pranuar kushtet tona. Kanë ardhur me dëshirën e tyre.
Skuka është pjesë e familjes së Partizanit dhe ka dhënë impakt tjetër tek ekipi. Jo vetëm në anën sportive, por edhe duket që merr përgjegjësi dhe ka qejf të kontribuojë dhe të bëjë shumë mirë te Partizani. Tre të tjerët nuk janë shqiptarë, por duket që janë profesionistë, kanë luajtur në nivele të mira, me mentalitet profesionist, shumë të edukuar.
Dhe ekipi i ka mirëpritur. Koha ka qenë e shkurtër. Në fakt, në fazën përgatitore e kemi filluar gati një muaj përpara me pjesën që ishte në ekip. E gjithë sfida është te këta katër lojtarë. Dikush ka ardhur pas pushimeve, dikush ka bërë shumë ndeshje, kështu do mundohemi deri ditën e ndeshjes të jenë pjesë e grupit. Do jenë pjesë e rëndësishme.
Situata e ngjashme me vitin 2018 te Partizani. A ka nisur cikël i ri sërish me ju në krye?
Dhe në vitin 2018 kemi qenë në të njëjtën situatë. Kur kam ardhur në ekip, kanë qenë lojtarë me kontrata, me moshë dhe eksperienca të ndryshme, por kur je trajner dhe të besohet një projekt patjetër duhet të planifikosh shumë mirë. Dhe duhet të jesh vendimmarrës, pavarësisht se ka kosto dhe ndoshta pakënaqësi, por kjo është përgjegjësi e trajnerit.
Dhe në atë kohë u larguan 12-13 lojtarë. Dikush kishte pak më tepër dhe dikush më pak, por duke parë edhe brezin dhe lojtarët që ishin shumë të rinj, patjetër trajneri do guximin t’i aktivizojë si emrat që përmenda më parë për atë kohë. Në fund fare bëhet analiza, por këto janë politikat e klubit.
Aq më tepër presidenti Demi ka pikë të dobët që dëshiron të aktivizohen lojtarë të rinj. Është vetë natyra e tij, vazhdimisht ka qenë përkrahës, nuk është që ka vendosur veto apo nuk ka pasur besim. U ka lënë trajnerëve hapësirë. Jo çdo trajner ka besim te të rinjtë sepse e shikon pozicionin e tij gjithmonë në dilemë dhe do të marrë më të mirën, por vetë jam natyrë tjetër.
Këto që kemi afruar janë me parametra, po t’i heqësh moshën, nuk e kupton që janë në gjendje të luajnë dhe të kontribuojnë, por duan kohën e tyre. Dhe vetëm një trajner mund t’ua japë. Nëse trajneri nuk është në gjendje të marrë përsipër, të jetë vendimmarrës, kurrë nuk do të bëhet trajner. Kjo është edhe sfida.
Merkato nuk është mbyllur, priten afrime të tjera?
Është normale. Është kohë shumë e shkurtër, me datë 10 korrik kemi ndeshjen e parë dhe uroj ta kalojmë me sukses me këtë grup që është. Patjetër që tifozët kanë shqetësime dhe duan të kenë afrime cilësore, edhe klubi ka këtë shqetësim dhe dëshirë, po ashtu edhe unë si trajner. Jo çdo gjë varet nga ne, ka lojtarë që janë cilësorë ose janë piketuar nga ne për afrime.
Kanë pasur kushtet dhe dilemat e tyre, edhe vështirësitë. Nuk është se Partizani nuk ka dëshirë. Gjithsesi të mbarojë kjo ndeshje dhe do shikojmë nëse është e mundur të përforcohemi në 2-3 pika. Ju siguroj që secili nga këto që kemi do japë 100% dhe do t’i marrim maksimumin, pastaj do shikojmë në vazhdim dhe do t’i bëjmë hapat një nga një.
Faza përgatitore, e kushtëzuar në Ohër. Shala, Janjeva dhe Ismaili të dëmtuar.
Është e vërtetë kemi qenë në fazë përgatitore pa këto. Edhe Kote ka ardhur nga ekipi kombëtar, ka pasur dëmtim, është munduar të rikuperohet. Jemi munduar ta trajtojmë me kujdes, nuk është 100%. Ka qenë shumë aktiv në stërvitje dhe shpresoj t’i marrim më të mirën. Ismaili dhe Janjeva nuk janë bashkuar asnjëherë me grupin, qëkur mbaroi kampionati Ismaili ka pasur probleme fizike. Është trajtuar me terapi nga stafi. Janjeva u dëmtua pak ditë para fazës përgatitore në Maqedoni. Shala erdhi në fazë përgatitore, në javën e parë pësoi tërheqje. Kemi pasur mungesa.
Në miqësore ra në sy aktivizimi i Mehmetit mbrojtës dhe Sembenes në mesfushë. Si e shpjegoni?
Të dy kanë cilësitë dhe parametrat që të luajnë në të dyja pozicionet. Sembene, për nevojat e ekipit që kishte në periudhën kur erdha, ishte mesfushë pa agresivitetin e duhur dhe kishim mangësi në luftën në ajër. Ishte nga problemet më të mëdha që atëherë. Si trajner, kam edhe përvojën time personale, e pashë Sembenen si zgjedhjen më të mirë. Që të krijojë ekuilibra dhe të rrisë agresivitetin, ndoshta edhe larg një zone që e kemi parë edhe të gabojë. Jam shumë i kënaqur që ka dhënë maksimumin dhe ka ndihmuar ekipin.
Anasjelltas, Mehmeti ka pasur problemet e tij, uljet e ngritjet kanë qenë të vazhdueshme edhe kohë përpara se të vij unë. Duke parë cilësitë e tij dhe kualitetin që ka, në një aspekt organizativ është shumë i saktë me topin. Kemi bërë prova dhe gjatë gjithë kësaj kohe, ka luajtur në qendër të mbrojtjes. E nxjerr topin shumë mirë.
Kishim nevojë për lojtarë që dinë ta nxjerrin topin nga zona. Patjetër ka nevojë të jetë më i vëmendshëm dhe të marrë përgjegjësi sepse në atë pozicion është përgjegjësi e madhe, nuk është si mesfushë. Në mesfushë korrigjohesh. Në këtë anë besoj e njeh përgjegjësinë dhe do piqet shumë më shpejt, që cilësitë e tij t’i shprehë në dobi të ekipit. Kam besim.
Vlerësimi për Kaljun, një kundërshtar me të cilin Partizani shfaqet favorit.
Ne kemi qenë favoritë në vazo prej së kaluarës. Mua si trajner aktual më intereson sa favoritë jemi me ekipin që kemi. Dhe e vlerësoj shumë ekipin që na ka rënë, e kemi parë me stafin me detaje. Është ekip që luan futboll modern shumë shpejt dhe agresiv përpara. Në këtë aspekt do të kemi edhe ne vështirësitë tona, por deri ditën e ndeshjes do mundohemi të marrim masat me detaje. Dhe të shkojmë me optimizëm, aq më tepër kemi dy ndeshje dhe është shumë e rëndësishme t’i menaxhojmë që të arrijmë objektivin final.
Një javë larg fillimit të sezonit. Çfarë duhet të presin tifozët?
Tifozët e Partizanit janë shumë të lidhur me fanellën. Dhe i kuptoj shumë mirë sepse jam i lidhur me historinë e klubit, fanellën, tifozët dhe në mënyrë absolute e di dëshirën e tifozëve dhe shqetësimin. Patjetër që me investimin që ka bërë Partizani çdo vit, dhe dëshira e objektivat janë të pashmangshme për të qenë në majën e futbollit shqiptar. Kjo është edhe çfarë dëshiron familja e kuqe. Duhet të kuptojmë të gjithë, që secili po punojmë për një qëllim, nuk jemi absolut të pagabueshëm. Dhe tifozët është e pamundur të jenë të lumtur të gjithë përnjëherë.
Ju siguroj që çdo gjë bëhet për të mirën e ekipit dhe për të kënaqur tifozët. Duhet durim dhe mbështetje, prandaj jam optimist që me projekt të ri, më bindës, patjetër që tifozët nuk do na lënë kurrë vetëm. Janë tifozë që dimër dhe verë i kemi pasur gjithmonë. Dhe shpresoj të vazhdojmë kështu si jemi sepse është lojtari i 12-të, shpeshherë dhe vendimtar.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













