EKSKLUZIVE/ Isgandarli synon rekordin te Partizani: Dua Kupën dhe të paktën 10 gola (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2026 | 22:24

EKSKLUZIVE/ Isgandarli synon rekordin te Partizani: Dua Kupën dhe të paktën 10 gola (E PLOTË)

Vusal Isgandarli dhe Partizani i tij e nisën vitin 2026 me një fitore 3-0 në Kupën e Shqipërisë ndaj Burrelit duke prekur në këtë formë çerekfinalet e kompeticionit të dytë për nga rëndësia në Shqipëri. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi i të kuqve theksoi se do të dëshironte që këtë sezon të ngrinte trofeun e Kupës së Shqipërisë ndërsa nga ana tjetër shtoi se ka si objektiv shënimin e të paktën dhjetë golave në kampionat.

Screenshot 2026-01-13 091116

Ndër të tjera, 30- vjeçari tha se pavarësisht nëse skuadrës i bashkohen apo jo elementë të tjerë në merkaton e janarit, e rëndësishme është që lojtarët e organikës aktuale të qëndrojnë të shëndetshëm dhe të mos hasin probleme fizike.

FITORJA ME BURRELIN- Kupa është një objektiv shumë i rëndësishëm për ne këtë sezon, kjo sepse në kampionat jemi pak larg vendit të katërt. Ishte ndeshja e parë për këtë vit dhe nuk ishte e lehtë, ne të gjithë po punojmë shumë në stërvitje sidomos në aspektin fizik. Por, më e rëndësishmja është që fituam dhe u kualifikuam për në raundin tjetër të Kupës. Tani do të përqëndrohemi te kampionati, kemi një përballje me Vorën dhe kjo fitore në Kupë do të na japë më shumë motivim që ta nisim me “këmbën e mbarë” edhe aty.

OBJEKTIVI PERSONAL- Objektivi im minimal për këtë vit është që të shënojë dhjetë gola në kampionat me Partizanin. Dhjetë gola, dhe pse jo edhe trofeun e Kupës, kjo do të ishte më e mira. Deri më tani kam shënuar tre gola në gati më shumë se 15 ndeshje të luajtura duke dhuruar edhe dy asistë, por kam humbur shumë raste. Dua që të përmirësohem në këtë aspekt dhe shpresoj të bëj më mirë që të ndihmoj skuadrën.

MERKATO- Unë mendoj se do të ketë transferime dhe mund të mbërrijnë lojtarë të rinj në skuadër. Por, e theksoj se më e rëndëishmja për mua është që lojtarët që kemi në përbërje të qëndrojnë të shëndetshëm dhe të mos kemi probleme fizike. Partizani është një emër dhe klub i madh, ndaj ne do të synojmë deri në fund të mbërrijmë në zonën e “Final Four” si dhe të fitojmë Kupën për t’u kualifikuar në Europë. Isgandarli është shndërruar në një futbollist tejet të rëndësishëm për “Demat e Kuq” në këtë sezon, teksa është një titullar fiks i formacionit të trajnerit Oltijon Kërnaja duke ofruar shpejtësi dhe fantazi në repartin e avancuar.

Kujtojmë që për azerbaxhanasin kjo me Partizanin është eksperienca e dytë në kampionatin shqiptar pasi më herët sulmuesi është aktivizuar edhe me Egnatian në sezonin 2023-2024 duke shënuar gjashtë gola në 18 paraqitje. Duke i vendosur vetes së tij një objektiv prej të paktën 10 golash, Isgandarli synon që të vendosë rekord sa i takon shënimit të golave në Shqipëri.

 

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL