Egnatia rikthen fokusin te Bylisi, shpresa te Flamur Ruçi
Pas humbjes ndaj Elbasanit, Egnatia ka kaluar menjëherë faqen dhe është përqendruar totalisht te sfida e fundjavës kundër Bylisit. Atmosfera në kampin rrogozhinas është pozitive, teksa Egnatia e di mirë që gabimi i dytë radhazi mund të kushtojë shtrenjtë në një garë ku diferencat me rivalët janë minimale.

Me skuadrën të kompletuar, ndeshje në shtëpi dhe një kundërshtar që historikisht i ka sjellë “fat”, kampionët synojnë vetëm fitoren. Jo vetëm për pikët, por edhe për të rikthyer automatikisht atë version të Egnatias që zakonisht shfaqet në momente presioni: të fortë, kompaktë dhe vendimtarë.
RESTARTI – Egnatia duket se po përjeton të njëjtin skenar si në fazën e dytë të sezonit, ku në dy ndeshjet e para mori vetëm një pikë dhe la përshtypjen se po humbte ritmin. Por pikërisht atëherë nisi rikthimi. Dhe rikthimi nisi… ndaj Bylisit. Ashtu si në atë periudhë, pas një starti jo të mirë, kampionët gjetën qetësinë dhe rrugën e tri pikëve në transfertën me mallakastriotët, në një ndeshje që shërbeu si pikë kthese.
Pas atij takimi, Egnatia ndërtoi një seri të gjatë pa humbje, me fitore të njëpasnjëshme që e rikthyen në garën për majën e tabelës, duke u dukur sërish si skuadra që synonte me të drejtë mbrojtjen e titullit. Tani historia përsëritet. Pas humbjes së fundit, sytë janë sërish nga i njëjta kundërshtar. Bylisi shihet si “komardare shpëtimi”, ekipi që në momentet kyçe i ka dhënë Egnatias shtysën psikologjike për të nisur ciklin e fitoreve.
SHPRESAT TE NJË “ISH” – Ndeshjen e parë mes dy skuadrave e vendosi një ish-i i mallakastriotëve: Flamur Ruçi. Ish-kapiteni i Bylisit, që nga sezoni i kaluar është pjesë e Egnatias, shënoi golin vendimtar dhe vulosi suksesin. Ruçi është shndërruar dalëngadalë në një pikë referimi për trajnerin Tetova. Ka marrë më shumë përgjegjësi në ndeshjet e fundit dhe ka fituar gjithnjë e më shumë rolin e titullarit.
Me prani fizike, eksperiencë dhe vendosmëri, mesfushori është kthyer në lojtarin e besuar të stafit teknik në sfidat që kërkojnë qetësi dhe personalitet. Në Rrogozhinë shpresojnë që historia të përsëritet: që Ruçi të jetë sërish njeriu i ndeshjes dhe t’i dhurojë skuadrës tri pikë të arta në një moment ku fitorja vlen më shumë se thjesht renditje, vlen për besim, ritëm dhe shpirt gare.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













