Egnatia pa ndryshime, trajneri Dede beson te “formula fituese”
Tek Egnatia nuk duan të ndryshojnë asgjë në prag të sfidës vendimtare ndaj Dinamos. Në kampin rrogozhinas ekziston bindja se formula që solli suksesin ndaj Elbasanit dhe Vllaznisë duhet të funksionojë edhe këtë herë.

Trajneri Nevil Dede po e përgatit ndeshjen me të njëjtën filozofi: një Egnatia agresive që në minutat e para, por njëkohësisht shumë e kujdesshme për të mos i lënë hapësira kundërshtarit. Ideja kryesore e stafit teknik mbetet e qartë: të gjendet goli i parë sa më shpejt dhe më pas ndeshja të menaxhohet me qetësi dhe inteligjencë. Në Rrogozhinë janë të bindur se pikërisht ky skenar ka sjellë ekuilibrin më të madh në javët e fundit. Egnatia ka treguar se kur arrin të kalojë e para në avantazh, bëhet një skuadër shumë e vështirë për t’u përballuar.
OBJEKTIVI I QARTË – Ashtu si ndaj Elbasanit dhe Vllaznisë, edhe këtë herë fokusi kryesor do të jetë nisja e fortë e ndeshjes. Dede kërkon që skuadra të hyjë menjëherë në ritëm dhe të ushtrojë presion ndaj Dinamos që në minutat e para. Në stërvitjet e fundit është punuar shumë me daljet e shpejta në sulm, lëvizjet pa top dhe shfrytëzimin e krahëve, me synimin që Egnatia të arrijë të godasë që në pjesën e parë. Një gol i hershëm do t’i jepte skuadrës jo vetëm avantazh në rezultat, por edhe qetësinë psikologjike për të kontrolluar lojën në vazhdim. Në ndeshjen e fundit të sezonit nuk kërkohet spektakël. Ajo që kërkon stafi teknik është pragmatizëm maksimal. Egnatia duhet të jetë agresive kur ka topin, por shumë e kujdesshme kur humbet posedimin. Balanca mes sulmit dhe mbrojtjes konsiderohet elementi kyç për të mos lejuar Dinamon të fitojë besim gjatë ndeshjes.
EKIPI FITUES NUK NDRYSHON – Duke parë paraqitjet pozitive në dy sfidat e fundit, gjithçka të çon drejt idesë se Nevil Dede nuk do të prekë thuajse asgjë nga formacioni bazë. Trajneri beson se skuadra ka gjetur ekuilibrin e duhur dhe në një ndeshje kaq delikate nuk dëshiron të rrezikojë me ndryshime.
Në portë pritet të konfirmohet sërish Tandilashvili, ndërsa në mbrojtje do të jenë Alijev në të majtë, Poçi dhe Xhemajli në qendër, si dhe Sota në të djathtë. Edhe në repartin ofensiv nuk priten surpriza, me Fernando, Haime, Kryeziu, Gruda dhe Bakajoko që pritet të mbajnë peshën kryesore të lojës.
I vetmi ndryshim i detyruar për Deden mbetet mungesa e kapitenit Albano Aleksi. Mesfushori u ndëshkua me karton të kuq ndaj Vllaznisë dhe nuk do të jetë i gatshëm për sfi dën finale të sezonit. Kjo konsiderohet një mungesë e rëndësishme për Egnatian, jo vetëm për cilësitë në fushë, por edhe për rolin lider që Aleksi ka brenda grupit. Pikërisht për këtë arsye, Dede po studion me kujdes alternativën më të mirë për ta zëvendësuar në mesfushë. Megjithatë, në kampin rrogozhinas ekziston besimi se grupi ka mjaftueshëm cilësi për ta përballuar edhe këtë mungesë. Stafi teknik nuk dëshiron të ndryshojë strukturën e lojës dhe pritet që zëvendësuesi i Aleksit të ketë një rol të ngjashëm në aspektin taktik.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













