Dinamo hap thesin, firmosin tre lojtarë. Presidenca plotëson dëshirat e trajnerit Daja në merkato
Dinamo ka “ndezur” motorët në merkato dhe pritet që shumë shpejt të zyrtarizojë afrimet e reja për këtë janar.
Kryeqytetasit kanë pritur si duket të lirojnë fillimisht vendet, e më pas të afrojnë lojtarët që do të ndihmojnë për vazhdimin e kampionatit, aty ku Dinamo synon të rikthejë titullin kampion në kryeqytet, si edhe të mbrojë Kupën e Shqipërisë, trofe i fituar sezonin e fundit në finale ndaj Egnatias.
Sa i përket afrimeve të reja, “Panorama Sport” ka mësuar se Dinamo ka arritur akordin me klubin e Bylisit për të transferuar dy futbollistë nga ballshiotët në kryeqytet dhe bëhet fjalë për Malomo Ajodeji dhe Ibrahim Mustafa të cilët do të largohet nga Bylisi për t’u prezantuar së shpejti si afrimet më të reja nga “nëndetësja”. Ndërkohë, blutë janë pranë akordit edhe me mbrojtësin e djathtë Andi Hadroj.
AJODEJI MALOMO- Mesfushori 22-vjeçar është një nga lojtarët më të spikatur me Bylisin dhe këtë sezon ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës 3 herë. Nigeriani është protagonist absolut për skuadrën e Mirel Josës, duke luajtur titullar pothuajse në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, teksa të njëjtën gjë ka bërë edhe sezonin e shkuar. Malomo ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës 5 herë sezonin që lamë pas, duke qenë në këtë mënyrë një lojtar i konfirmuar dhe pavarësisht se luan në mesfushë, di të realizojë pasi shifrat duken të kënaqshme.
IBRAHIM MUSTAFA- Dinamo ka vendosur të bëjë një goditje dyshe nga Bylisi dhe veç Malomos, është arritur akordi edhe për transferimin e sulmuesit nigerian. 29- vjeçari që po luan sezonin e tij të dytë me Bylisin, është një nga shënuesit më të mirë të kampionatit deri më tani, duke shënuar 6 gola në 17 ndeshje të luajtura. Natyrisht, kjo shhifër golash është relativisht e lartë, duke parë formën e Bylisit, por edhe faktin se në total, ballshiotët kanë shënuar 18 gola. Në total, dy lojtarët më të rinj të Dinamos, kanë realizuar gjysmën e golave për skuadrën ballshiote, që tashmë do ta kenë të vështirë të bëjnë pa shërbimet e dy nigerianëve.
ANDI HADROJ- Dinamo ka qenë në kërkim të një mbrojtësi krahu që në fillim të merkatos, por nuk ka qenë prioritet. Me dëmtimin e Maliqit, situata ka ndryshuar dhe në kampin blu, janë gati të rikthejnë Andi Hadrojn në Superiore. Ish-mbrojtësi i Partizanit, aktivizohet me Polisan në Ukrainë dhe nuk po kalon një moment të mirë. Në shumë ndeshje, mbrojtësi ka qenë në stolin e rezervave dhe shpesh është dërguar të stërvitet edhe me skuadrën e dytë, teksa rikthimi në Superiore mund të jetë një shans i artë për të marrë minuta, si edhe për të ndihmuar skuadrën e Dinamos drejt titullit kampion.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













