Dinamo e rinis me mungesa, Daja pret ‘dhuratat’ e premtuara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2026 | 23:41

Dinamo e rinis me mungesa, Daja pret ‘dhuratat’ e premtuara

Dinamo do ta rinisë ka mpionatin me një ndeshje në transfertë, ku të besuarit e Dajës do të përballen me Teutën në stadiumin “Niko Dovana”. Dinamo do të kërkojë në këtë sfidë fitoren e parë sezonale, duke qenë se në fazën e parë është mundur 1-0, ndërsa në ndeshjen e fazës së dytë, e luajtur në “Elbasan Arena” ka barazuar pa gola.

ilir daja

Kështu, fitorja është një detyrim për skuadrën e Dajës edhe për të ruajtur vazhdimësinë por edhe për të marrë për herë të parë këtë sezon fitoren e tretë radhazi në kampionat, pasi më parë ka mundur Vorën dhe Partizanin. Sakaq, Daja do të duhet të bëjë sërish pa shërbimet e Alijit, i cili veç stërvitjes po vazhdon edhe me terapi dhe ende nuk është në gjendje për të marrë ngarkesë maksimale pas operacioni në pubalgji, i kryer pak javë më parë në Gjermani.

Një tjetër mungesë e rëndësishme për Dinamon, është ajo e Bekim Maliqit që u largua i dëmtuar në ndeshjen ndaj Besës dhe do të jetë mungesë për blutë për një kohë të gjatë. Nga rezonanca e kryer ditën e hënë, rezultoi se mbrojtësi ka këputur ligamentin krocat dhe do të duhet të mungojë për disa muaj, duke mbyllur sezonin para kohe e me shumë gjasa, do të jetë gati vetëm për sezonin e ri futbollistik.

Sakaq, Bruno Dita me shumë gjasa do të rikthehet në fushë pasi gjendja e tij është më e mirë. Ndaj Besës në Kupë, Dita mungoi për shkak të një gjendjeje gripale që kishte kaluar ditët e fundit, por duket se situata është më mirë për të dhe ndaj Teutës, është një rikthim i rëndësishëm.

Sakaq, te Dinamo po punohet ende për merkaton dhe pavarësisht se Daja ka kërkuar afrime në këtë merkato, deri më tani Dinamo ka pasur vetëm firo me largimin e Karambës dhe Jonuzit, ky i fundit i larguar me parametra zero drejt Kosovës.

Veç sulmit që ka qenë deri më tani kërkesa kryesore e trajnerit Daja, telashe ka edhe në mbrojtje pasi me dëmtimin e Maliqit, krahu i djathtë i mbrojtjes është në emergjencë totale dhe duhet sa më shpejtë që të afrohet një lojtar që mund të sigurojë vazhdimësinë e kampionatit dhe vetë drejtori sportiv i Dinamos, Luan Pinari u shpreh pak ditë më parë se blutë po kërkojnë më shumë për cilësi në këtë kampionat, e jo vetëm sasi. Ndeshja mes Teutës dhe Dinamos, do të luhet të enjten e datës 15, duke nisur nga ora 17:00.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL