Dinamo e bën sefte këtë sezon, provon stadiumin e tretë
Dinamo do të përballet me Elbasanin këtë javë në kampionat, ku do të synojë që të marrë më të mirën. Humbja e shkuar në Elbasan, ende nuk është harruar ndërkohë që dy skuadrat sezonin e shkuar kanë ndarë edhe stadiumin.

Por, këtë sezon që dukej se Dinamo do të rikthehej në shtëpi, në fakt ka pasur probleme më të shumta. Skuadra kryeqytetase, fillimisht luajti në Elbasan, para se të kthehej në Tiranë që të luante në “Selman Stërmasi”. Më pas, Dinamo përfundoi sërish në Elbasan dhe tashmë duket se ka ardhur radha për të provuar “Air Albanian”, stadium të cilin Dinamo e shfrytëzoi në verë kur kishte ndeshjet e Europës.
Blutë shpresojnë që të kalojnë momentin e vështirë në një stadium i cili mund t’i mundësojë skuadrës që të shprehet më mirë se të tjerët, duke parë gjendjen e fushës. Ajo që mund të bezdisë Dinamon, është vetëm tifozeria e cila këtë sezon nuk është se ka pasur një numër të lartë, ndryshe nga ajo e Elbasanit që ka udhëtuar në çdo transfertë, duke u kthyer në lojtarin e 12 të skuadrës verdheblu. Ndeshja mes Dinamos dhe Elbasanit, do të luhet të shtunën në orën 19:00.
PANORAMASPORT.AL













