Daja do vazhdimësinë, por nuk njeh fitore ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2026 | 13:08

Daja do vazhdimësinë, por nuk njeh fitore ndaj Teutës

Dinamo e mbylli vitin në mënyrën më të mirë të mundshme duke fituar Superkupën e Shqipërisë ndaj Egnatias, ndërkohë që në të njëjtën mënyrë e nisi edhe 2026.

Ilir Daja

Në ndeshjen e parë zyrtare për këtë vit, blutë morën një fitore ndaj Besës në Kupë me rezultatin 3-0, duke prerë biletën për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Kështu, Kupa do t’i lërë vendin Superiores që rikthehet me ndeshjen e parë të fazës së tretë dhe Dinamo do ta nisë në transfertë, aty ku përballë do të ketë skuadrën e Teutës. Sfida e vlefshme për javën e 19, do të luhet sot duke nisur nga ora 17:00 në stadiumin “Niko Dovana”, me dy skuadrat që pretendojnë ta nisin mbarë vitin dhe të vazhdojnë me ecuri pozitive në këtë vit kalendarik.

FORMA- Dinamo është në një moment shumë të mirë dhe në katër ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, blutë kanë marrë 4 fitore. Fillimisht, Dinamo arriti të fitonte në Superiore dy ndeshje radhazi, duke mundur Vorën e Partizanin dhe pak më vonë, fitoi ndaj Egnatias në Superkupë për ta mbyllur ecurinë me fitore në Kupë. Por, kjo formë e Dinamos sot duhet të konfirmohet si moment i mirë duke qenë se blutë këtë sezon, ende nuk kanë arritur të arkivojnë 3 fitore radhazi në kampionat. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja është ndalur gjithmonë në kuotën e 2 fitoreve dhe pas 2 fitoreve, ka ardhur një barazim e një humbje. Ndaj Teutës në transfertë, të besuarit e Dajës duhet të bëjnë për herë të parë “tris” për fitoret radhazi dhe të fitojnë më shumë terren në klasifikim duke konsoliduar vendin e tyre në “Final 4”.

STATISTIKAT– Dinamo e këtij sezoni ka shfaqur oshilacione të shumta dhe deri më tani, vetëm pak skuadra janë që ende nuk e kanë provuar shijen e humbjes ndaj bluve, mes tyre edhe Teuta. Në dy përballjet e para mes dy skuadrave, Teuta ka fituar të parën në Durrës, ndërsa sfida e dytë e luajtur në “Elbasan Arena”, u mbyll në barazim pa gola me dy skuadrat që u dukën të kënaqura me pikën që arritën të merrnin. Kështu, nëse 3 pikët janë të rëndësishme për klasifikimin, për Dinamon kanë rëndësi edhe për vetë faktin se është një ndeshje me një skuadër, ndaj së cilës mund të thyejë dy tabu.

PANORAMASPORT.AL