Bylisi me fokusin te kampionati, Tirana testi i mbijetesës në Ballsh
Bylisi e kaloi me sukses provën e Kupës së Shqipërisë, duke u kualifikuar pas një ndeshjeje plot emocione dhe drithërima ndaj Laçit.
Pas këtij suksesi, e gjithë vëmendja e mallakastriotëve është përqendruar tashmë te kampionati dhe konkretisht te përballja vendimtare ndaj Tiranës. Sfida e parë e fazës së tretë të kampionatit e gjen Bylisin në shtëpinë e tij, në Ballsh, me objektivin e qartë për t’u rikthyer te fitorja. Mallakastriotët vijnë pas një humbjeje në transfertë ndaj Vorës në ndeshjen e fundit të fazës së dytë, ndërsa një arsye më shumë për të kërkuar tri pikët është edhe rivaliteti direkt për mbijetesë me bardheblutë në këtë moment të sezonit. Në Kupë, portieri Kristian Gurau e nisi ndeshjen si titullar, ndërsa mbrojtësi i djathtë Negru nuk u përfshi as në protokollin e takimit ndaj Laçit.
Te Bylisi ekziston një konkurrencë e fortë edhe në portë, ku aktualisht stërviten pesë portierë, tre nga skuadra e parë, si dhe nga ekipi B dhe U-19. Futbollistët që luajtën pak minuta apo nuk u aktivizuan fare në Kupë, kanë zhvilluar seancë stërvitore menjëherë pas ndeshjes. Në Ballsh, përveç festës për kualifikimin, fokusi ka qenë maksimalisht i drejtuar te përballja e kampionatit me Tiranën, e cila luhet vetëm dy ditë më pas. Skuadra ka hyrë në grumbullim që pas sfidës me Laçin.
Trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij kanë kërkuar angazhim maksimal dhe seriozitet nga lojtarët, duke qenë se në mesjavë i pret një duel shumë i rëndësishëm, që ndikon drejtpërdrejt në objektivat sezonalë të skuadrës. Ndërkohë, merkatoja vijon, edhe pse deri tani janë zyrtarizuar vetëm dy afrimet nga Rumania, të cilët mbërritën pak ditë më parë në Ballsh. Klubi bën me dije se priten edhe 2–3 përforcime të tjera, të cilat do të shërbejnë për konsolidimin e grupit dhe rritjen e konkurrencës, pasi Bylisi synon të jetë konkurrues si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë.
KAMPIONATI- Bylisi ka gjithashtu një kalendar favorizues në startin e fazës së tretë, pasi luan në shtëpi ndaj rivalëve direktë për mbijetesën, si Tirana dhe Flamurtari. Në këtë aspekt, ballshiotët duken më të konsoliduar, ndryshe nga kundërshtarët që janë ende në fazë përforcimesh dhe ndërtimi. Përballë Tiranës, Bylisi pritet të jetë me organikë të plotë, ndërsa afrimet e fundit kanë rritur ndjeshëm konkurrencën brenda grupit. Ngjeshja e kalendarit nuk i prish planet mallakastriotëve, të cilët kanë gati thuajse dy formacione. Në pritje për të mësuar kundërshtarin e radhës në Kupën e Shqipërisë, te Bylisi synimi është i qartë, të grumbullohen sa më shumë pikë në startin e fazës së tretë, duke nisur që nga përballja e nesërme ndaj Tiranës në Ballsh.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













