Analiza e Kotobellit: Tirana ka dobësi, stresi nuk ndikon te Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2025 | 19:09

Analiza e Kotobellit: Tirana ka dobësi, stresi nuk ndikon te Teuta

Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer më së miri ekipit të Teutës. Përveç faktit që skuadra ka pasur mundësinë të përgatitet më mirë në aspektin fizik, ajo ka fituar edhe më shumë harmoni në grup.

KOTOBELLI

Kapiteni i “bluve”, Blerim Kotobelli, ka analizuar gjendjen aktuale të ekipit dhe ka folur për sfidën e radhës ndaj Tiranës.

Blerim sa i ka shërbyer “pauza” e kampionatit Teutës?
Gjatë kësaj periudhe jemi munduar të bëjmë një përgatitje sa më të mirë, në mënyrë që të jemi në lartësinë e duhur për ndeshjen kundër Tiranës.

Si është gjendja e skuadrës para kësaj sfide?
Jemi të kënaqur me paraqitjet që ka bërë skuadra, si në seancat stërvitore ashtu edhe në ndeshjet para se te ndalej kampionati. Në përgjithësi, jemi në formë të mirë. Kemi bërë mirë, përjashto disa luhatje normale që ekzistojnë në sport. Kjo ecuri na jep besim dhe shpresë për të arritur objektivin që kemi.

Sa e vështirë do të jetë përballja me Tiranën?
Është një skuadër që, pavarësisht mungesës së pikëve, ka zhvilluar ndeshje të mira. Normalisht, pritet një përballje e vështirë. Ata luajnë mirë në tranzicione, por si çdo ekip, edhe ata kanë pikat e tyre të dobëta. Të shtunën nuk do ta marrim ndeshjen me stres; do të hyjmë në fushë me qetësi dhe besim.

A e ka gjetur Teuta ritmin e duhur?
Unë e kam zakon të them: “Si punon, ashtu të kthehet”. Asgjë nuk vjen rastësisht, gjithçka duhet merituar me punë.

Ju kënaq një pikë apo synoni me çdo kusht fitoren?
Ne kërkojmë maksimumin. Jemi të vetëdijshëm për vështirësinë, por një ekip që ka objektiva të mëdha duhet të kalojë shumë sfida. Do të bëjmë gjithçka që të dalim me fitore ndaj Tiranës.

Ndeshjet në vijim bëhen gjithnjë e më delikate. A është Teuta gati t’i përballojë?
Për ne nuk ka rëndësi kush është përballë. Ajo që vlen është të futemi në çdo ndeshje për të marrë pikët e plota. Duhet të tregojmë fytyrën e vërtetë të Teutës, atë që presin të gjithë të shohin. Ekipi është përgatitur për të dhënë maksimumin dhe për të luftuar 100%.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL