Ada përjashton Bishanin pas humbjes
Drejtuesit e Adës nuk e kanë kapërdirë dot humbjen e fundit me Luftëtarin, e për pasojë masat nuk kanë munguar. Pas analizës së zhvilluar, krerët velipojakë kanë përjashtuar nga skuadra portierin Olti Bishani. Mirëpo nga sa mësohet, pritet që për të tjerë lojtarë nuk do të mungojnë as ndëshkimet në aspektin financiar. Sipas drejtuesve, kjo masë i është dhënë Bishanit për mosimpenjim në këtë takim dhe për formën e dobët të paraqitur si rrjedhojë e saj. Të tilla vendime, drejtuesit e klubit të Adës kanë dhënë edhe në sezonet e shkuara. Portieri shkodran me sa duket ka qenë një nga “viktimat” e radhës së presidencës. Ekipi velipojak është ndëshkuar brenda dy minutave dy herë në fundin e pjesës së parë të takimit. Si pasojë e largimeve, stafi teknik ka afruar të tjerë futbollistë, që aktualisht po stërviten dhe që zyrtarisht pas janarit do të jenë pjesë e Adës. Sulmuesi Bledar Përfati dhe mesfushori Jaser Rrustja, të cilët kanë qenë pjesë e ekipit të Trepçës në kampionatin kosovar, pritet që të nënshkruajnë për velipojakët për pjesën e mbetur të sezonit.
Edmir Sula













