1 qershori i Flamurtarit, klubi ka humbur identitetin dhe mbetet me të rinjtë
Flamurtari po përjeton një nga momentet më paradoksale dhe më të dhimbshme të historisë së tij moderne. Më 31 maj skadojnë kontratat e pothuajse të gjithë futbollistëve të ekipit, ndërsa 1 qershori, që njihet si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, e gjen klubin vlonjat thuajse vetëm me të rinjtë e akademisë.

Ironi më të hidhur vështirë se mund të prodhojë futbolli shqiptar. Rënia nga Superiorja nuk solli vetëm dështimin sportiv, por edhe “shkrirjen” e një skuadre që u ndërtua me shumë bujë, por që në fund la pas vetëm zhgënjim dhe një faturë të rëndë morale për qytetin e Vlorës. Në letër flitet për “projekt të ri”, “rindërtim”, “analizë” dhe “mentalitet fitues”, por realiteti është shumë më brutal. Flamurtari ndodhet në pikën ku duhet të nisë gjithçka nga e para, sepse eksperimenti i sezonit të fundit rezultoi një dështim i kushtueshëm.
Drejtuesit kuqezi kanë nisur “spastrimin” e madh, nga porta në sulm. Largimet pritet të vazhdojnë me ritëm zinxhir në çdo repart. Burime pranë klubit bëjnë me dije se vetëm rreth 20% e grupit aktual mund të mbetet pjesë e Flamurtarit. Me pak fjalë, skuadra që zbriti nga Superiorja praktikisht do të zhduket. Dhe këtu lind pyetja ironike: Kush e ndërtoi këtë ekip që tani po “dëbohet” me kaq nxitim? Kush i përzgjodhi lojtarët, kush vendosi për projektin dhe kush garantonte se kjo skuadër ishte ndërtuar për të qëndruar në elitë?
Në Vlorë flitet për kujdes dhe reflektim, por koha tregon se reflektimi po vjen vetëm pasi dëmi u konsumua. Flamurtari u kthye në një skuadër pa identitet, ku ndryshimet e vazhdueshme, presioni dhe mungesa e stabilitetit e çuan drejt një fundi të paralajmëruar. Tani presidenti Sinan Idrizi kërkon një skuadër “me mentalitet fitues”, ndërsa klubi po analizon çdo lojtar individualisht. Por problemi i Flamurtarit nuk duket se ka qenë vetëm te futbollistët.
Nëse pothuajse i gjithë grupi largohet, atëherë përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm mbi ata që zbresin në fushë. Më ironikja është se Flamurtari, një klub me histori, tifozëri dhe peshë të madhe në futbollin shqiptar, hyn në verë pa një bazë të qartë dhe me një skuadër që praktikisht shpërbëhet brenda natës. Nga “projekt Superioreje” në “ditën e fëmijëve”, ku në klub mbeten vetëm të rinjtë. Në Vlorë premtohet revolucion. Por historia e futbollit shqiptar ka treguar se revolucionet e përvitshme zakonisht nuk prodhojnë stabilitet, por vetëm kaos të ri. Dhe Flamurtari duket se po hyn pikërisht në këtë tunel të rrezikshëm.
PANORAMASPORT.AL













